E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis uron Berishën: Zgjedhjet, perspektiva integruese e Shqipërisë



Kryeministri Sali Berisha merr garancinë e shteteve të mëdha evropiane për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane duke i parë zgjedhjet e 28 qershorit si perspektivën e anëtarësimit në BE. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, dhe ai francez, François Fillon, përmes mesazheve, urojnë z. Berisha për rimandatimin si Kryeministër, duke i garantuar mbështetje në procesin integrues të vendit, atë të anëtarësimit për në BE. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, uron rizgjedhjen e Kryeministrit Berisha, arritjen me sukses të aspiratës së qeverisë së tij për integrimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian. Përveç të tjerash, në mesazhin e tij Kryeministri grek thekson se Greqia do të mbështesë pa rezerva perspektivën integruese të Shqipërisë, duke u shprehur se nga të dy vendet ka një vullnet të hekurt për çuarjen më tej të marrëdhënieve strategjike. Karamanlis e mbyll mesazhin e tij, duke thënë se kjo do t’u shërbejë jo vetëm popujve dhe dy qeverive, por edhe stabilitetit më të gjerë në Ballkan. Kurse, Kryeministri i Francës, z. François Fillon, beson se rimandatimi i Sali Berishës në krye të qeverisë, bën që Shqipëria të hyjë më shpejt në familjen evropiane. Z. Fillon i dërgoi dje një mesazh urimi Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, me rastin e riemërimit të tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Në këtë mesazh thuhet: “Në emrin tim personal dhe në emër të qeverisë franceze, ju dërgoj ju urimet e përzemërta dhe të sinqerta me rastin e emërimit tuaj në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë”. Kreu i qeverisë franceze i shkruan më tej Berishës: “Jam i sigurt se ky mandat i ri do të jetë për ju rasti për të çuar më tej politikat tuaja të forcimit të shtetit të së drejtës dhe reformat që ju keni ndërmarrë për të shpejtuar afrimin evropian të vendit tuaj”. Z. Fillon përfundon mesazhin e tij: “Me këtë rast, dëshiroj t’ju shpreh ju, z. Kryeministër, përkushtimin tim personal për forcimin e marrëdhënieve mes vendit tuaj dhe Francës. Unë dëshiroj që bashkërisht ne të punojmë për thellimin e tyre, në veçanti në fushën ekonomike. Ju lutem, pranoni, z. Kryeministër, sigurimet e konsideratës sime më të lartë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›