Kastriot Islami: Raporti i ODIHR-it nuk përligj bojkotin e PS-së
PS e ka lexuar ndryshe nga PD dhe LSI raportin e misionit vëzhgues OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit, por dhe brenda radhëve të saj nuk ka një qëndrim të njëjtë. Ashtu siç pritej, kundërshtarët e kreut aktual, Edi Rama, e kanë parë me sy më objektiv këtë raport sesa vetë Rama dhe e kanë cilësuar si një kambanë për bojkotin e paarsyeshëm të opozitës në Kuvend. Një nga zërat ndryshe në PS, deputet veteran dhe specialist i çështjeve zgjedhore, Kastriot Islami, tha dje se përfundimet e vëzhguesve nuk e përligjin vendimin për të bojkotuar Kuvendin nga ana e PS-së. Ky vendim u mor nga Rama, i cili pretendon se ka pasur manipulime të rezultatit të zgjedhjeve, gjë që u hodh poshtë shprehimisht nga misioni ndërkombëtar i monitorimit. "Mesazhi i parë është që në Shqipëri standardet nuk janë arritur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në një proces të kthimit në një vend kandidat të BE-së dhe besoj kjo do të përcaktojë të gjithë axhendën e bashkëveprimit me KE dhe me BE dhe për të garantuar në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhje tërësisht të lira. Mesazhi i dytë është natyrisht për të gjitha forcat politike, po në mënyrë të veçantë për opozitën. Në këtë raport nuk ka bazë dhe argumente të mjaftueshme, që të justifikonim të gjitha qëndrimet që kanë çuar PS në bojkot", - thotë Kastriot Islami. Në këtë mënyrë e lexon ai këtë raport, duke pasur sigurisht parasysh eksperiencën e mëparshme me raportet e vëzhguesve, ku fjalët pozitive kanë qenë me pikatore. Pritet që në vazhdim përveç Islamit të mbështesin këtë tezë dhe anëtarët e tjerë të mendimit ndryshe në PS, të cilët po bëjnë fushatë në bazën e partisë për të kundërshtuar vendimin e marrë nga një grup pune që ngriti Rama për një bojkot parlamentar pa afat. Ata e shohin këtë lëvizje si tërësisht për interesa personale të Ramës, i cili po mundohet të mbajë postin në krye të partisë, duke u fshehur pas akuzave për “vjedhje” të zgjedhjeve dhe pse i ka humbur ato. Islami është një prej mbështetësve kryesorë të lëvizjes kundër Edi Ramës pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai ka qenë bashkëhartuesi socialist i kodit të ri zgjedhor, në të cilin parashikohen edhe mekanizmat ligjore që parandalojnë manipulimin e votave.