E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kashari 2", ish-kryekomunarët në prokurori

Ish-drejtuesit e Komunës së Kasharit, të cilët u liruan disa ditë më parë nga Gjykata e Apelit, do të thirren sërish në Prokurorinë e Tiranës për një tjetër dosje me abuzimet e tokave në periferi të Tiranës, që ndodhet në zyrën e Task-Forcës. Tre ish-kryekomunarët e arrestuar në fundin e vitit 2007 dhe të liruar para disa ditësh, do të përballen sërish me drejtësinë, pasi 30 banorë të zonës kanë denoncuar të tjera mbivendosje në vijën ndarëse të komunës me kryeqytetin, ku vlera e një trualli llogaritet qindra mijëra euro. Burime zyrtare nga grupi hetimor deklarojnë se kanë sekuestruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në komunë dhe në zyrën e përgjithshme të kadastrave dhe ka rezultuar se qindra dynymë tokë janë mbivendosur disa herë. Si përgjegjës për këto abuzime janë pikërisht të pandehurit e dosjes së parë. "Në mesin e vitit 2007, në Prokurorinë e Tiranës janë depozituar dhjetëra kallëzime nga banorët e zonës së Kasharit, të cilët pretendonin se u ishte mbivendosur prona. Kryem një hetim paraprak dhe në fund të vitit 2007, në muajin dhjetor, depozituam në Gjykatën e Tiranës gjashtë urdhër-arreste, të cilat u ekzekutuan nga policia. Në mesin e vitit 2008, dosja e parë shkoi në gjykatë për gjykim, pasi afatet e paraburgimit ishin drejt fundit. Në këtë kohë, në prokurori, pas thirrjes sonë, janë paraqitur rreth 30 kallëzime të tjera për mbivendosje pronash, të cilat u regjistruan dhe ka filluar hetimi i tyre", deklarojnë burime nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Sipas saj, pas sekuestrimit të dokumentacionit dhe krahasimit me kallëzimet, është e nevojshme thirrja për dëshmi e të pandehurve, të sapoliruar nga Gjykata e Apelit.

Hetimet

Abuzimet e pronave në Komunën e Kasharit në Tiranë kanë detyruar hetuesit e çështjes që të kontrollojnë zyrën e përgjithshme të kadastrave në Fushë-Krujë, për të marrë prej andej dokumente që hedhin dritë për mbivendosjet. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se disa hetues kanë shkuar në Drejtorinë e Tokave dhe kanë kontrolluar sipërfaqet në Komunën e Kasharit. Dokumentet e marra në Fushë-Krujë janë ballafaquar me ato në Komunën Kashar, pasi dyshohet se i gjithë dokumentacioni i bllokuar në këtë komunë është i falsifikuar. Prokuroria e Tiranës tha se, krahas dosjes së parë të Kasharit, një tjetër material voluminoz, me 30 denoncime të banorëve, gjendet në zyrat e hetuesve, të cilët kanë shkuar në terren për të verifikuar parcelat e tokës që pretendohet se është mbivendosur. "Oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar në terren për të verifikuar çdo centimetër tokë, e dyshuar si e mbivendosur nga krerët vendorë gjatë periudhës 2000-2007. Pretendimet e banorëve po krahasohen me të dhënat e marra në komunë. Nga verifikimet e rastit, ka të dhëna se ish-zyrtarët e komunës, krahas abuzimeve të mëparshme, kanë mbivendosur edhe dhjetëra dynymë tokë truall me vlera të mëdha", thanë burimet nga akuza.

Tjetërsimi

Sipas prokurorisë, ndër mbivendosjet është edhe denoncimi i familjes së Gani Kamberit, i gjetur i vdekur disa muaj më parë. Prokuroria thotë se ish-kryekomunarët e Kasharit i kanë mbivendosur 9 mijë metra katrorë. Sipas njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e pagëzuar Task-Forca, dosja implikon ish-krerët e kësaj komune, të cilët, gjatë mandateve të tyre nga viti 2000-2007, kanë tjetërsuar pronësinë e rreth 18 hektarëve tokë në pronësi të rreth 60 banorëve të zonës. Kamberi kishte pasur konflikte të ashpra me krerët e komunës, madje edhe konfrontime fizike me njerëz të afërt të drejtuesve të pushtetit lokal. Ndërkohë, organi i akuzës deklaron se së bashku me përgjimet telefonike dhe denoncimet e banorëve të zonës, edhe harta e sekuestruar do t‘i nënshtrohet sërish një ekspertize në terren, ku do të përcaktohen të gjitha trojet e mbivendosura nga krerët dhe ish-krerët e Komunës së Kasharit.

Prokuroria

Banorët denoncuan tre ish-kryekomunarë

Si filloi mbivendosja

e pronave në komunën

pranë Tiranës

Problemi me pronat në Komunën e Kasharit ka nisur që në vitin 2000, kur kryetar ishte Naim Karaj, ndërsa kanë vazhduar edhe nga pasardhësi Faik Fejzo dhe Alfred Sulaj. Të pandehurit falsifikuan dokumentet e pronësisë, në bashkëpunim me ish-kryeplakun e fshatit, me përgjegjësin dhe dy punonjësit e kadastrës së Kasharit. Sipas prokurorisë e gjykatës, ata kanë abuzuar me tapitë e tokës, duke ua dhënë personave që nuk e kishin atë në pronësi, kundrejt ryshfetit. Bëhet fjalë për të paktën 150 mijë metra katrorë tokë bujqësore, mbi të cilën tashmë janë ndërtuar pallate dhe shtëpi private. Të pandehurit akuzohen për veprat "korrupsion pasiv", "shpërdorim detyrë", "falsifikim të dokumenteve" dhe "mashtrim në bashkëpunim".

Sipas hetuesve, ishin rreth 15 mijë metra katrorë tokë e rindarë, të cilat vlerësohen në miliona euro. Toka, në kufi me vijën e verdhë të Bashkisë së Tiranës, vlerësohej me një çmim më të lartë dhe ka qenë preferencë e disa biznesmenëve për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe. Në dosjen e prokurorisë dhe vendimin e gjykatës, përgjimet kanë kryer një rol të rëndësishëm për zbardhjen e bisedave të ish-kreut të Komunës së Kasharit, Alfred Sulaj, me djalin e dajës, Xhevair Hykaj. Nga biseda dukej qartë se Sulaj i ka dhuruar kushëririt të tij mijëra metra katrorë, e cila do të shfrytëzohej për ndërtimin e një objekti shumëkatësh. Në vitet 2000-2007, dhjetëra banorë të Komunës së Kasharit kanë denoncuar skandalin në Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›