Ligji i ri, rritet gjoba për abuzuesit me rrezatimet
Emanuela Sako
Rritet gjoba për të gjithë abuzuesit me rrezatimin jonizues nëpërmjet aparaturave të parregullta nëpër spitalet e vendit.
Ligji i ri i Ministrisë së Shëndetësisë “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues” parashikon që të gjithë shkelësit e ligjit do të penalizohen me gjobë deri në 300 mijë lekë, deri në heqje të licencës së ushtrimit të punës. Anëtari i Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi në Ministrinë e Shëndetësisë dhe njëkohësisht Shefi i Pavijonit të Radiologjisë në QSUT, Krenar Preza, shprehet për gazetën “Albania” se rrezatimi jonizues është shumë i dëmshëm për pacientët, kur përdoret në masë të tepruar dhe për të kontrolluar situatën masat duhet të jenë më të rrepta. Sipas tij, në momentin e evidentimit të dëmit që bëhet tek pacientët, merren masa ndaj mjekut që ka kryer vizitën. Njëkohësisht gjoba prej 300 mijë lekësh vendoset në mënyrë paralajmërimi ndaj këtij subjekti, por njëkohësisht në këtë moment mjekut i hiqet e drejta për të ushtruar profesionin, nëpërmjet heqjes së licencës. Ky ligj përcakton kushtet e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese për të gjitha veprimtaritë që kryhen me lëndë radioaktive dhe pajisje rrezatuese, për të mbrojtur punonjësit e ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve, popullatën dhe mjedisin në tërësi nga rreziqet e mundshme të rrezatimeve. Nga marrja e rrezatimit të tepërt mund të dëmtohet gjaku, organet prodhuese apo mund të ndodhin ndryshime të indeve të trupit.
Kontrolli
Specialisti i rrezatimit jonizues sqaroi se pak ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka marrë pjesë në komision, ku ka mbështetur luftën ndaj këtyre abuzimeve. Brenda strukturës së shëndetësisë janë rreth 11 inspektorë që kryejnë evidentimet në terren për shmangien e abuzimeve, duke ushtruar kontrolle në të gjitha spitalet dhe qendrat spitalore, private apo shtetërore. Inspektimet kryhen çdo 6 muaj dhe raportohen pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Preza shpjegoi se situata është nën kontroll deri diku, pasi aparaturat në spitale janë të ardhura nga Këshilli i Europës dhe janë programuar të gjitha Brenda standardeve të lejuara. Aparaturat e përdoruara para disa vitesh në të gjitha spitalet lëshonin rrezatim Brenda normave të lejuara, ndërsa sot ato janë zëvendësuar. Sipas specialistit, problemi qëndron në faktin e çakordimit të aparaturës, e cila duhet të kontrollohet në mënyrë të herëpashershme në të kundërt shkakton probleme tek pacienti.
Kujdesi
Sipas Specialistit Preza, shpeshherë mjekët e teprojnë me pacientët kur i drejtojnë për kryerjen e ekzaminimeve nëpërmjet rrezeve. Kjo bëhet shkak të marrjes së tepërt të rrezeve dhe shkaktimin e sëmundjeve të tjera gjenetike apo biologjike. Sipas tij, mjekët duhet të jenë më të përgjegjshëm kur i drejtojnë pacientët për kryerjen e ekzaminimeve nëpërmjet rrezatimeve. Rrezet rontgen janë të dëmshme për shëndetin e pacientëve dhe ato duhet të kryhen vetëm në rastet e domosdoshme, pasi në të kundërt do të bëhen shkak për probleme më madhore shëndetësore. Rrezatimet shmangen nëpërmjet elementëve mbrojtës, siç është përparësja e plumbit që nuk lejon depërtimin e rrezeve në pjesët e tjera të trupit, përveç pjesës ku duhet të veprohet. Por në shumicën e klinikave këto masa mbrojtëse nuk vihen në përdorim nga mjekët. Njëkohësisht, kjo shtresë plumbi duhet të përdoret edhe në muret e dhomës ku ndodhet aparatura, ndërsa aparatura duhet të jetë dy metra larg murit në mënyrë që të mos lejohet depërtimi në ambientet e tjera.
8 Tetor 2008