E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi i gripit të këtij vitit më i rrezikshëm se më parë



Drejtoria e QSUT-së do të ngrejë grup pune për çdo rast të përhapjes së ndonjë epidemie në popullatë, siç është rasti i virusit të gripit. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, u shpreh se do të tregojë kujdes të veçantë ndaj sëmundjeve që kërcënojnë qytetarët, duke angazhuar specialistët për t’u marrë posaçërisht me këtë çështje. Ky grup pune do të jetë një strukturë brenda Drejtorisë së QSUT-së, e cila do të merret drejtpërdrejtë me situatat që mund të krijohen. Gjithçka ka ardhur si rezultat i shtimit të numrit të qytetarëve që rrezikohen të preken nga virusi i gripit. Sipas specialistëve është normale që gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit të ketë përhapje të virusit të gripit, por kjo nuk duhet të lejohet që të arrijë deri në epidemi. Ndërkohë që vaksinat antigrip nuk mungojnë qoftë në spitale apo dhe në farmacitë e kryeqytetit. Ndërkohë që ISHP-ja bën të ditur se këtë vit qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe kanë marrë dozat e nevojshme të vaksinës antigrip, të cilat janë importuar nga Franca dhe Anglia.
Virusi
Specialistët bëjnë të ditur se virusi i gripit që ka kapur këtë vit qytetarët është më i rrezikshëm si ai i viteve të kaluara. Ky lloj virusi njihet ndryshe me emrin gripi Australian. Aktualisht, farmacitë në vend janë furnizuar me vaksinën antigrip, e cila ka hyrë në tregun shqiptar që prej datës 1 tetor. Tregu është furnizuar me rreth 70 mijë doza të vaksinës antigrip, të prodhimit anglez dhe francez, të ofruara kundrejt çmimeve përkatësisht 12 mijë lekë dhe 13 mijë lekë. ISHP-ja bën të ditur se problem në marrjen e vaksinës antigrip mbeten zonat e largëta me popullsi të izoluar. Ndërkohë që vlerëson se sistemi kapilar i farmacive bën të mundur shpërndarjen e tyre dhe arritjen tek qytetarët. Farmacitë janë të pajisura me frigorifer dhe kanë të gjitha mundësitë për ta mbajtur vaksinën në kushtet që ajo kërkon. Grupmoshat që rekomandohen të marrin vaksinën janë kryesisht të moshuarit mbi 60 vjeç, fëmijët, personat me sëmundje kronike, sidomos të zemrës dhe të mushkërive, gratë shtatzëna, personat që kanë në varësi të punës së tyre specifika të veçanta, që ekspozohen më shumë ndaj gripit (punonjësit e shëndetësisë, etj). Por mund të jenë dhe grupe të tjera, të cilat nuk kategorizohen sipas moshës, por sipas vendbanimit apo mënyrës së tyre të jetesës, sidomos kolektivat, fëmijët në çerdhe kryesisht, por dhe të rinjtë në konvikte. Për vaksinimin e fëmijëve rekomandohet që të marrin gjysmën e dozës së vaksinës sepse ndodh që mund të shkaktojë probleme tek disa fëmijë, në varësi të problemeve shëndetësore që mund të ketë secili.
Qytetarët
Mjekët bëjnë të ditur se qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe kanë marrë dozën e vaksinës antigrip. Kjo ndodh për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit dhe panikut nga marrja e tij. Ndërkohë që institucionet shëndetësore kanë bërë të pamundurën për shpërndarjen e vaksinës dhe mënyrat e përdorimit të saj. Qytetarët janë njohur që dy muaj më parë për marrjen e vaksinës në periudhën shtator-tetor. Njëkohësisht që është theksuar që të gjithë ata që janë prekur nga virusi i gripit nuk mund të marrin vaksinën sepse mund të shkaktojë dëmtime dhe për më tepër nuk ka efektin e duhur. Ndërkohë, një dozë e vaksinës së gripit të injektuar është imunogjenike për individët e të gjitha moshave, përveç fëmijëve të vegjël. Fëmijët e vegjël që nuk kanë qenë të vaksinuar, për të pasur një efikasitet të lartë të vaksinimit, rekomandohet të marrin 2 doza të vaksinës së inaktivuar (sipas dozimit për fëmijët) në një interval kohor, të paktën 4 javë midis dozave.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›