E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomiku, datat e vjeshtës së vogël për studentët e vitit të katërt



Jonida Tashi

Studentët që kanë mbaruar vitin e katërt në Fakultetin Ekonomik dhe kanë jo më shumë se tre provime të pa marra mund t’i rijapin këto provime në vjeshtën e vogël. Dekanati i Fakultetit Ekonomik ka vendosur vetëm tri ditë kohë për vjeshtën e vogël dhe brenda këtij afati kohor duhet të jepen provimet e mbetura për tu futur në provimin e diplomës. Dekanati i Ekonomikut ka vendosur që provimi i diplomës për studentët që do të marrin provimet në vjeshtën e vogël të jepet në datën 15 nëntor 2008 në orën 09.00 të mëngjesit. Riprovimet në vjeshtën e vogël mund t’i japin jo vetëm studentët që i kanë kryer studimet me sistemin e ditës (me kohë të plotë), por edhe ata që i kanë ndjekur studimet e larta te Ekonomiku me kohë të pjesshme ose me korrespondencë.
Datat
Dekani i këtij fakulteti, Omer Stringa, bën të ditur për gazetën “Albania”, se kushti kryesor dhe i vetëm që studentët të futen në vjeshtën e vogël është se ata nuk duhet të kenë më shumë se tre provime të mbetura. Studentët e ditës, part-time-it dhe korrespondencës, që rezultojnë me 1, 2 ose 3 provime jo kaluese do të rifuten në provimet e mbetura në datat 24, 25 dhe 26 tetor. Kreu i Ekonomikut shpjegon se ky vendim është marrë nga Këshilli i Fakultetit me qëllim që këtyre studentëve të mos u shtyhet me një vit marrja e diplomës. Studentët që do të rezultojnë kalues në provimet e mbetura që do t’i rijapin në vjeshtën e vogël do të mund të futen në provimin final të studimeve të larta që është diploma.
Rregullorja
Në rregulloren e Universitetit të Tiranës janë përcaktuar të gjitha kriteret për riprovimet dhe mbartjen e tyre. Studenti i sistemit me shkëputje nga puna ka të drejtë të hyjë në sesionin e vjeshtës (sesioni i riprovimeve) kur ka jo më shumë se katër detyrime mësimore të pashlyera. Në këtë numër përfshihen dhe detyrimet e mbartura. Nëse detyrimet e mbartura nuk shlyhen, studenti shpallet përsëritës për vitin mësimor që ndjek. Studenti bursist humbet të drejtën e bursës për vitin që përsërit. Studenti në sistemin me shkëputje nga puna shpallet përsëritës kur mbas përfundimit të sesionit të vjeshtës, mbetet në më shumë se dy provime. Në çdo vit mësimor studenti ka të drejtë të mbartë deri dy provime dhe të provohet për to deri në dy herë në vitin pasardhës. Herën e parë, para sesionit të provimeve të dimrit, në kohën e përcaktuar në strukturën e vitit mësimor. Ndërsa herën e dytë, lejohet vetëm në sesionin e riprovimeve. Studenti në sistemin pa shkëputje nga puna është i detyruar që, në vitin pasardhës, të shlyejë paraprakisht detyrimet e mbetura. Mbas kësaj, atij i lind e drejta të shlyejë detyrimet e kursit që ndjek.
Viti i fundit
Studenti i vitit të fundit që, në përfundim të provimeve të kursit, rezulton me deri tre provime të palikuiduara, ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga Dekanati, përpara sesionit të provimit të shtetit. Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në provimin e formimit ose në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së këtyre detyrimeve në sesionin e riprovimeve (të vjeshtës), ndërsa diplomimi bëhet në sesionin e dimrit. Studentët e vitit të fundit, që në përfundim të sesionit të verës rezultojnë me më shumë se tre provime të pashlyera, konsiderohen përsëritës për atë vit shkollor. Në çdo fund sesioni, Dekanati i fakultetit shpall studentët përsëritës dhe ata të përjashtuar.

Të dhëna
24, 25 dhe 26 tetor janë tri datat e provimeve për vjeshtën e vogël
1, 2, 3 provime të pa marra duhet të kenë studentët për tu futur në këtë sezon
15 nëntor 2008 është data e vendosur nga Dekanati i Ekonomikut për provimin e diplomës
09.00 është ora kur do të nis mbrojtja e diplomës
Vetëm studentët e vitit të katërt kanë të drejtë të japin provime në vjeshtën e vogël
Riprovimeve mund t’i nënshtrohen jo vetëm studentët e ditës, por edhe ata të part-time-it dhe korrespondencës

Studentët në nevojë që do të përfitojnë bursë nga Bashkia e Tiranës

Studentët në nevojë do të përfitojnë bursa studimi nga Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit do të akordojë bursa studimi për këtë kategori studentësh, në kuadër të projektit “Për kuotat financiare të ushqimit për studentët në vitin akademik 2008-2009 për Universitetet Publike”. Sipas burimeve nga Drejtoria e Menaxhimit dhe Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, datë 27 gusht 2008, të gjithë studentët që plotësojnë disa nga kriteret bazë, të cilat janë përcaktuar në këtë projekt, mund të aplikojnë për të përballuar në mënyrë sa më normale këtë vit akademik. Studentëve, të cilëve do t’u jepet përparësi në dhënien e këtyre bursave, do të jenë ata invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, ata të cilët jetojnë 5 km larg qytetit të Tiranës dhe kanë mundësira të pakta ekonomike. Gjithashtu, prioritet për dhënien e bursës Bashkia do t’u japë edhe studentëve të rinj që do të ulen këtë vit të ri akademik në auditoret e universiteteve dhe që janë fëmijë të policëve të vrarë në krye të detyrës. Po kështu, bursë studimi nga Bashkia do të përfitojnë të gjithë ata nxënës që mbarojnë shkollën me të gjitha notat 10, si dhe për ata nxënës të shkollave profesionale që mbarojnë me mesataren mbi 8.
Fondi që do të vihet në dispozicion nga Bashkia do të zbatohet pas aplikimeve të studentëve të këtyre kategorive deri me datë 20 tetor, pranë Zyrës së Informacionit Qytetar të Bashkisë. Pas përfundimit të këtij afati, asnjë nga nxënësit nuk ka të drejtë të aplikojë dhe detyrimisht humbet të drejtën e përfitimit të bursës për këtë vit, 2008-2009.

MSH, trajnim të specializuar mjekësor për shëndetin e nënës dhe fëmijës

Bluzat e bardha po trajnohen në mënyrë më të specializuar për kujdesin që duhet të tregohet ndaj nënës dhe fëmijës. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me “Mbretëresha Geraldinë” ka organizuar një trajnim disa ditor për mami-infermieret, të cilat do të kujdesen për gratë shtatzëna dhe kur ato bëhen nëna, si dhe për kujdesin ndaj foshnjave në hapat e parë të lindjes. Ministria e Shëndetësisë do të bëjë të gjitha përpjekjet që të mbështesë sektorin e shëndetit të nënës dhe fëmijës. Kjo u theksua nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, gjatë ceremonisë së dhënies së certifikatave për 13 pjesëmarrëset në trajnimin. Pjesëmarrëset në trajnim u informuan për teknikat në stabilizimin e fëmijëve të porsalindur në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Programi i trajnimit për formimin e infermiereve dhe teknikat në reanimin dhe stabilizimin e fëmijëve të porsalindur, u zhvillua gjatë 10 ditëve me sponsorizimin e Ministrisë së Shëndetësisë, organizatës jofitimprurëse OSAAB dhe Spitalit “Nëna dhe fëmija” në Providence, Rhode Island, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtori i këtij materniteti, Halim Kosova, u shpreh se trajnimi është i vlefshëm për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj nënës dhe fëmijës. Sipas tij, ndërtimi i një klase të tillë për trajnim do të jetë i përhershëm në këtë institucion shëndetësor, ku mami-infermieret do të kenë mundësinë të mësohen me fëmijë artificialë dhe veglat e duhura, para se të shkojnë tek i porsalinduri dhe nëna.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›