E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç: Lufta e Bosnjës, e shenjtë!

"Do të mbroj kombin tim dhe kauzën e tij që është e drejtë dhe e shenjtë", u shpreh ish-shefi politik i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç sot në hapje të procesit kundër tij për gjenocid në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, TPI, për ish-Jugosllavinë.

"Ndodhem përpara jush jo për të mbrojtur personin tim, por për të mbrojtur madhështinë e një kombi të vogël në Bosnje-Hercegovinë që është detyruar të vuajë për 500 vjet, atë të serbëve të Bosnjës", deklaroi Karaxhiç. "Do të mbroj kombin tonë dhe kauzën e tij që është e drejtë dhe e shenjtë", shtoi ai.

I akuzuar për organizimin e një "spastrimi etnik" gjatë luftës së Bosnjes, që ka shkaktuar 100 000 të vdekur dhe 2,2 milionë të shpërngulur në periudhën 1992-1995, Radovan Karaxhiç pritet të paraqesë sot në vija të përgjithshme mbrojtjen e tij që ka marrë përsipër ta bëjë vetë.

Kjo është hera e parë që i akuzuari, 64 vjeç, merr pjesë në një seancë të procesit të tij për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai i ka bojkotuar tre të parat në tetor të vitit 2009 me arsyen se nuk ka patur kohë të mjaftueshme për t'u përgatitur. Procesi është shtyrë deri ditën e sotme. Radovan Karaxhiç, i arrestuar në korrik të vitit 2008 në Beograd, pas 13 vjet arratie, deklarohet i pafajshëm dhe rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.

Karaxhiç akuzohet për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Karaxhiç ka vendosur të vetëmbrohet, pavarësisht se gjykata i ka caktuar një avokat i cili do të jetë menjëherë i disponueshëm nëse ai do të bojkotojë sërish seancat gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›