Qëlloi mbi policët, "Ujku" i "Kafazit" sot para gjykatës së Krimeve të Rënda
TIRANE-Alba Rexha, ish-futbollisti që u bë i njohur për shkak të pjesëmarrjes në reality show-n "Kafazi i Artë" në News24, do të përballet me togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda për t'u njohur me masën e sigurisë marrë ndaj tij në mungesë që pak ditë kur qëlloi ndaj punonjësve të policisë. I vetëquajturi "Ujku" u prangos tri ditë më parë në ambientet e përbashkëta të gjykatës dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ishte paraqitur për të kontaktuar me prokurorin e çështjes. Por, "surpriza" që i kanë bërë efektivët e policisë ka qenë jo fort e këndshme, pasi i kanë mbërthyer prangat pa i lënë mundësi të jepte shpjegimet e tij para prokurorisë lidhur me ngjarjen e 29 dhjetorit 2009, për të cilën akuzohet. Ish-futbollisti do të kërkojë lirinë përmes avokatëve të tij me argumentet se, jo vetëm nuk përbën rrezikshmëri shoqërore, por edhe nuk ka për qëllim t'i shmanget hetimit, pasi ishte vetë ai që u paraqit në prokurori për të dhënë ndihmën e tij sa u përket hetimeve. Katër të rinjtë, Pajtim Serjani, Enea Gega, Shamet Mejdani dhe ish-futbollisti, Alban Rexha, janë konfliktuar me policinë mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2009. Teksa udhëtonin me makinën tip "Benz" me targa "BOT QA997", nuk i janë bindur urdhrit të postbllokut në rrugën "Irfan Tomini" dhe pak metra më tej kanë qëlluar ndaj efektivëve blu duke u kërcënuar seriozisht jetën. Të pandehurit Serjani, Gega dhe Mejdani u arrestuan gjatë ngjarjes dhe ndodhen në qeli nën akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë" ndaj punonjësit të policisë. Alban Rexha u arrestua tri ditë më parë dhe sot do të përballet me togat e zeza të gjykatës, që do të vendosin për fatin e tij.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)