E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: FMN të na ndihmojë me statistikat

Ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkoi dje publikisht asistencën e FMN-së për përmirësimin e sistemit kombëtar të grumbullimit të statistikave. "Rritja ekonomike ka qenë një diskutim i përhershëm mes nesh dhe Fondit. Ajo që ne i kemi kërkuar Fondit dhe që do ta realizojmë është që përmes departamentit të statistikave që ka të mund të asistojë institutin tonë të statistikave. Qeveria është e interesuar për statistika reale dhe jo për përllogaritje qoftë nga banka, qoftë nga Ministria e Financave apo FMN. Le t‘i japim një hapësirë dhe të bëjmë kredibël këtë institucion". E duke qeshur, Bode shtoi se "Gjithsesi jam optimist për statistikat e FMN-së, e cila është sjellë pak konservator. Ne presim rritje ekonomike 6% për vitin 2010". Ministri theksoi më pas se edhe për vitin 2009, FMN-ja parashikoi një rritje prej 0 deri në 1 për qind e në fakt ajo është 2 për qind. Vetë qeveria ka deklaruar më herët se pret rritje ekonomike 5.8 për qind për vitin 2009. Në fakt, Ministria e Financave e kishte vlerësuar në 4.8 për qind, por në mbledhje qeverie, ndërhyri vetë Kryeministri, i cili e rriti në 5.8 për qind.

Qeveria ndihet më komode duke parashikuar rritje të lartë ekonomike për vitin e ardhshëm për shkak se në këtë mënyrë programon edhe shpenzime e deficit të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›