E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miklos Nemeth, njeriu që i dha grushtin dërmues Perdes së Hekurt

Revolucioni i vitit 1989 ka imazhet e tij të paharruara, si rënia e Murit të Berlinit apo figura të tilla si Lech Walesa, Vaclav Havel apo Mikhail Gorbachev. Por njeriu që i dha goditjen e parë më të rëndë Perdes së Hekurt, që ndau për shumë dhjetëvjeçarë Europën është shumë më pak i njohur në Perëndim nga figurat e sipërpërmendura. Emri i tij është Miklos Nemeth, një ekonomist që u bë Kryeministri i Hungarisë në vitin 1988. "Sulmi" i tij ndaj Perdes së Hekurt, nisi shumë çuditshëm, ndërsa po shqyrtonte buxhetin e vendit të tij për vitin 1989. Në projektin me të cilin po punonte vuri re se Ministrisë së Brendshme i ishin akorduar shuma të mëdha parash. Kur pyeti se çfarë duheshin gjithë ato para përgjigjja që mori ishte se shumat e mëdha duheshin për blerjen e telave me gjemba që do të rinovoheshin dhe shtoheshin në kufirin e Hungarisë me Austrinë. Kur e mori vesh arsyen, ai u tha këshilltarëve të tij që të hiqnin menjëherë dorë nga një shpenzim i tillë i kotë dhe qesharak. Por ky kundërshtim hasi në kokëfortësinë e disa kolegëve të tij të Ministrisë së Brendshme, të cilët e kërcënuan se ai do të përballej shpejt me pasoja shumë të rënda nëse hiqte paratë për blerjen e telave me gjemba. Në Hungari, ndërkohë, kujtimi për ndërhyrjen brutale të sovjetikëve në vitin 1956 ishte shumë i fortë. Por vendimin e tij, Nemeth e bazoi në dëshirën për të testuar premtimet për një erë të re në marrëdhëniet me Moskën, që i kishte bërë vetë Gorbaçovi. Kryeministri i Hungarisë e vizitoi Gorbaçovin në mars të vitit 1989 dhe e informoi për vendimin e qeverisë së tij për fillimin e çmontimit të kufirit. Megjithatë, ndërsa Kryeministri me shumë guxim në vend që të shtonte telat me gjemba nisi t‘i priste dhe shkatërronte edhe ata ekzistuesit, ai druhej se mos nga Moska do të merrte ndonjë telefonatë kërcënimi dhe u ndje shumë mirë që nuk i erdhi asgjë e tillë. Atëherë ai krijoi bindjen se e ashtuquajtura "Doktrina e Brezhnjevit" sipas së cilës Moska kishte të drejtë që të pushtonte vendet që vinin në rrezik komunizmin, tashmë mund të quhej "e vdekur". Vendimet e Nemethit për të liruar shumë kufirin dhe për një perspektivë për një regjim shumëpartiak krijuan një inat të paparë në qarqet konservatore të vendeve të tjera komuniste. Në takimin e vendeve të Traktatit të Varshavës në vitin 1989 ai pati një debat aspak të përzemërt me liderët komunistë të Rumanisë dhe Gjermanisë Lindore, përkatësisht Nikolae Çausheskun dhe Eric Honekerin. Ndërsa sipas kujtimeve të vetë ish-kryeministrit Gorbaçov nuk i tha asnjë fjalë, përveçse në njëfarë mënyre e miratonte në mënyrë të heshtur. Hungaria ishte vendi i parë ish-komunist që hapi kufijtë me Austrinë dhe priti një fluks të madh gjermanolindorësh që nga Austria kaluan në Gjermaninë Perëndimore pa viza. Por më parë Hungaria bëri një marrëveshje me Republikën Federale Gjermane në lidhje me pranimin e gjermanolindorëve. Në këmbim të këtij bashkëpunimi kancelari i atëhershëm i Gjermanisë, Helmut Khol, e ndihmoi Hungarinë që të merrte kredi shumë të mira në bankat perëndimore me të cilat filloi edhe përvojën e parë kapitaliste. Kjo hapje e beftë e Perdes së Hekurt e minoi qenësisht autoritetin e regjimit gjermanolindor. Menjëherë pas kësaj, Honeker humbi pushtetin dhe brenda disa javësh u shemb edhe vetë Muri i Berlinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›