Biznesmene nga shtatë vende të rajonit mblidhen në Durrës
Kongresi i Katërt i Sipërmarrjes Femërore të Adriatikut dhe Jonit ka mbledhur në Durrës gra biznesmene nga shtatë vende të rajonit. Përfaqësueset e sipërmarrjes femërore nga Italia, Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Greqia dhe Shqipëria janë mbledhur për të shkëmbyer përvojat, arritjet dhe vështirësitë në kapërcimin e pengesave gjatë përballimit të krizës ekonomike globale. Dhoma e Tregtisë së Durrësit, që së bashku me atë të Tiranës janë organizatore të këtij aktiviteti, propozoi një pakt të biznesit me shtetin, duke theksuar nevojën për rregulla të reja loje. Në këtë kuadër është kërkuar që shteti të krijojë një klimë të favorshme për bizneset e reja, duke zvogëluar më tej pengesat dhe kostot e të bërit biznes përmes mekanizmave të ndryshëm jo vetëm financiare, të aftësojë administratën publike në shërbim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të rrisë aftësitë likuiduese të tyre përmes nxitjes së kreditimit në valutë të huaj për të shmangur zhvlerësimin e lekut. Gjithashtu është kërkuar nga biznesi durrsak që shteti të mbështesë aftësimin menaxhues të këtyre sipërmarrjeve veçanërisht në drejtim të rinovimit teknologjik dhe përfshirjes në tregun global. Proceset integruese ndër rajonale janë konsideruar nga pjesëmarrëset në kongres si një instrument i frytshëm drejt bashkëjetesës së plotë me familjen e madhe europiane. Kongresi është një takim i përvitshëm ndërmjet grave sipërmarrëse të vendeve anëtare të Forumit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë (AIC), ku bëjnë pjesë 40 Dhoma. Numri i bizneseve që drejtohen nga gratë dhe vajzat në vendin tonë është rritur ndjeshëm, por asistenca teknike dhe mbështetja financiare e tyre mbeten ende në shifra të ulëta. Në paktin e propozuar të shtetit me sipërmarrje nga Andrea Xhavara, kryetar i Dhomës së Durrësit u kërkua që sipërmarrja private të ketë vlerësim pozitiv të veçantë, duke u mbështetur me fonde të veçanta kultura e sipërmarrjes dhe dalja më vete e bizneseve të vogla fillestare, mbështetja e sipërmarrjes femërore, stimulimi i shpirtit sipërmarrës te mosha e re përmes futjes së sipërmarrjes si një kompetencë kyçe që në kurrikulat e shkollës 9-vjeçare, si dhe shmangja e praktikave të trajtimit të figurës së biznesit me standarde të dyfishta e jo miqësore, si tabelat orientuese për çmimet e mallrave, pagat, referencat doganore etj. U kërkua dhe që shteti të nxisë biznesin për mbështetjen e veprimtarive shoqërore dhe për funksionimin e institucionit të bamirësisë. Xhavara, në emër të Dhomës, u shpreh se është e nevojshme të instalohet një dialog konstruktiv i përhershëm i ligjbërësve dhe ligjvënësve me komunitetin e sipërmarrësve, që garanton konsultimin me të në jo më pak se tetë javë kohë për çdo propozim ligjor apo administrativ që ka impakt mbi biznesin, ndërsa kërkoi fiksimin e datave të përcaktuara të vitit për hyrjen në fuqi të ligjeve dhe rregullave të reja për sipërmarrjen dhe të publikohen përmbledhjet e tyre vjetore.
V.Qyrfyçi
V.Qyrfyçi