E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Çmendet" Krivbasi, do 1.5 mln euro për Bulkun

Kampionati ukrainas është shndërruar në një thikë me dy presa për futbollistët shqiptarë. 

JETMIR HALILAJ

Ata arrijnë të përshtaten mjaft mirë aty, madje spikatin në skuadrat kur luajnë, por kur kanë oferta nga klube perëndimore, gjuha e bashkëpunimit me drejtuesit e skuadrave është zero. Ervin Bulku, mesfushori i Kombëtares shqiptare që luan te Krivbasi ka pasur disa oferta nga klube gjermane dhe ruse, por krerët e klubit të tij kanë kërkuar 1.5 milionë euro për kartonin e futbollistit, çka e ka bërë tejet të vështirë kalimin e futbollistit tiranas në një klub tjetër. Bulku megjithatë, tregohet profesionist, duke thënë se është i gatshëm që të respektojë kontratën me Krivbasin, e cila skadon në janar të vitit 2009. "Kam pasur shumë oferta, sidomos pas ndeshjes me Kombëtaren kundër Polonisë në fund të majit, por klubi ka vënë një çmim shumë të lartë për kartonin tim (1.5 milionë euro), çka i ka vështirësuar shumë gjërat", pohon Bulku për "Panorama Sport". Lojtari ka shkëlqyer në kampionatin ukrainas sezonin që shkoi, madje edhe javën e parë të sezonit të ri u tregua vendimtar, duke dhënë asistin e golit të vetëm që shënoi Krivbasi në fitoren minimale 1-0 kundër Metalurg Zaporozhias. "Dëshira ime është që të luaj në një skuadër të nivelit të lartë dhe ofertat nuk kanë munguar, por menaxherët e mi nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit. Unë nuk kam dashur që t'iu lutem këtyre të klubit që të më lënë të lirë, sepse kam një kontratë me Krivbasin dhe jam i detyruar ta respektoj atë, ndonëse ofertat nga klubet gjermane kanë qenë tepër joshëse", ka thënë Bulku.
Skuadra
Situata nuk është shumë e qartë te Krivbasi, sepse kjo skuadër është duke kaluar në pronësi të disa pronarëve të rinj. Një pjesë e mirë e lojtarëve ende nuk janë të sigurt për të ardhmen e tyre, madje as Ervin Bulku. "Pritet që të ndryshojnë drejtuesit e klubit, pasi ekipin janë duke e blerë disa biznesmenë të tjerë. Jemi paksa të paqartë për të ardhmen. Pak ditë më parë kontaktova me krerët e skuadrës dhe gjëja e vetme që më thanë, ishte se disa klube ishin interesuar për mua, por nuk kishin ofruar shumën që kërkohej. Nuk di çfarë të them, - ka thënë Bulku. - Unë jam gati të qëndroj këtu deri në janar, nëse klubi nuk dëshiron të më largojë. Shpresoj që të kem të njëjtat kërkesa edhe në merkaton e janarit, sepse qëllimi im është që të luaj në një skuadër perëndimore".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›