E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen institucionet, lagjet muzeale në pisllëk

BERAT - Përplasja mes bashkisë dhe monumenteve të kulturës lë pa pastruar lagjet muzeale të qytetit. 

Numri i turistëve që vizitojnë Beratin po rritet ndjeshëm nga viti në vit, sidomos tashmë që ai u shpall zonë e mbrojtur nga UNESKO. Por peizazhi që u ofrohet në lagjet muzeale lë mjaft për të dëshiruar. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeve, Kastriot Dervishi tha se janë bërë përpjekje të mëdha për pritjen në mënyrë dinjitoze të turistëve. Por tre lagjet muzeale: Mangalem, Kala e Goricë shfaqen në sytë e turistëve me një problem shumë të madh, papastërtinë e tyre. Dervishi pohon se përplasja mes dy institucioneve, bashkisë që pastron mbetjet urbane dhe Drejtorisë Rajonale të Monumenteve që mirëmban ambientet e jashtme të lagjeve muzeale, i ka lënë këto lagje në mëshirë të fatit. Sipas tij, rrugët e tyre janë të pista dhe barërat kanë zaptuar muret e jashtëm të shtëpive karakteristike muzeale. Më problematike është lagja "Mangalem", në të cilën turistët ballafaqohen fillimisht me mbeturina e ujëra, që vërshojnë në rrugicat e kalldrëmta dhe me shkurre kacavjerrëse mbi muret e shtëpive muzeale. Ndërsa kryebashkiaku, Fadil Nasufi tha se institucioni që ai drejton nuk ka neglizhuar pastrimin. Por sipas tij, puna e tyre konsiston vetëm në pastrimin e mbetjeve urbane e produkteve që hedhin në kontejnerë familjet e këtyre lagjeve. "Shqetësimi i ngritur nga z.Dervishi, ka të bëjë me largimin e barërave nga muret e shtëpive të këtyre lagjeve, si dhe të mbetjeve të tjera të akumuluara nga gjelbërimi i stinës. Për këtë përgjigjet Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës", tha Nasufi. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›