E Diel, 1 Nëntor 2026

Karaxhiç jetonte nën mbrojtjen e CIA-s, derisa theu marrëveshjen

Ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ka jetuar nën mbrojtjen amerikane pas marrëveshjes së Dejtonit, derisa CIA përgjoi një telefonatë në të cilën ai theu termat e "marrëveshjes sekrete" për të qëndruar larg politikës. 

Kështu citon një gazetë serbe bazuar në "burime shumë të informuara brenda shërbimeve sekrete amerikane". "Karaxhiç, i akuzuar për genocid dhe krime lufte, ishte nën mbrojtjen e SHBA deri në vitin 2000, kur CIA kapi një bisedë telefonike të tij, e cila provonte qartësisht se ai personalisht kishte drejtuar një takim të partisë së tij të vjetër politike", citon gazeta "Blic". "Ata u tërbuan kur mësuan se Karaxhiç po i bënte për budallenj. SHBA dhe CIA u tërhoqën nga mbrojtja e tij jozyrtare", citon burimi. Karaxhiç ka paraqitur një dokument, në të cilin thuhej se ai kishte një marrëveshje me SHBA, të nënshkruar nga diplomati amerikan, negociator për paqen në Bosnjë, Riçard Hollbruk. Hollbruk i ka mohuar këto deklarata. Megjithatë, sipas gazetës britanike "Independent", dy zyrtarë të lartë duket se e konfirmojnë këtë marrëveshje. Ish-ministri i Jashtëm i Bosnjës, Aleksa Buha, tha se ai ka qenë dëshmitar i marrëveshjes. Marrëveshja ishte bërë "në natën ndërmjet 18 dhe 19 korrikut 1996". Ish-ministri tjetër i Jashtëm boshnjak, Mohamed Sacirbey, tha për gazetën "Dnevni" se ai ka mësuar për këtë marrëveshje nëpërmjet kreut të misionit të OSBE-së, diplomatit amerikan, Robert Frowick, në verën e vitit 1996.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›