E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët dhe serbët përleshen në Mitrovicë

Mitrovica është rikthyer në një shesh beteje mes serbëve dhe shqiptarëve, në një përleshje ku u plagosën katër persona. 

Një pjesëtar i Policisë së Kombeve të Bashkuara, një shqiptar dhe dy serbë janë lënduar në një incident që ndodhi pas mesnatës së të hënës në Mitrovicë. Sipas policisë, incidenti ka ndodhur në lagjen e boshnjakëve, që gjendet në pjesën veriore të qytetit. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se fillimisht një grup serbësh kanë sulmuar një të ri shqiptar, ndërsa më vonë shqiptarët me gurë kanë lënduar dy serbë. "Kjo ka filluar rreth orës 21:30 në lagjen e boshnjakëve, kur një viktimë e nacionalitetit shqiptar, i cili ka kaluar nga lagjja e boshnjakëve në drejtim të urës kryesore është ndalur fillimisht nga gjashtë persona të dyshuar të nacionalitetit serb. Të njëjtit, pasi kanë kërkuar nga ai të identifikohet se kush është, kanë filluar ta sulmojnë me shkopinj druri", sqaroi Hoti. Më vonë, thotë ai, te ndërtesat që njihen si "Tre rrokaqiejt", rreth orës 1 e 20 minuta, shqiptarët kanë gjuajtur me gurë dy vetura të serbëve dhe kanë lënduar dy serbë. "Disa banorë shqiptarë besohet se kanë sulmuar me gurë në drejtim të dy veturave të banorëve serbë, të cilët kalonin nëpër atë lagje, duke nxitur kështu edhe reagimin e banorëve serbë, të cilët janë kundërpërgjigjur. Në këtë kundërpërgjigje ata kanë dëmtuar dhe demoluar mbi gjashtë vetura me targa KS dhe 3 lokale afariste, që besohet të jenë pronë e shqiptarëve", tha Hoti. Ai vlerëson se këto incidente kanë karakter me motiv ndëretnik, që ndikon kryesisht në ngritjen e tensioneve. Hoti thotë se më vonë ka ndërhyrë policia e UNMIK-ut, ku si pasojë një polic është lënduar. "Kanë qenë policët ndërkombëtarë, ata të cilët kanë ndërhyrë në këtë rast dhe një pjesëtar i policisë së UNMIK-ut ka pësuar lëndime", tha Hoti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›