Karaxhiç nuk deklarohet për fajësi
Ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç është paraqitur dje në sallën e Gjykatës së Hagës, ku ka refuzuar të deklarohet lidhur me aktakuzën e ndryshuar, sipas së cilës ai ngarkohet, në dy pika për gjenocid dhe për krime kundër njerëzimit, ndaj jo-serbëve në Bosnjë Hercegovinë, gjatë viteve 1992-1995. Gjykata ndërkombëtare, sipas rregullores së saj, në dosje regjistroi se i akuzuari Radovan Karaxhiç është deklaruar se nuk ndjehet fajtor për të 11 pikat e aktakuzës. I akuzuari Karaxhiç ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar, pasi për 11 vite ishte fshehur me identitet të ndryshuar. Nëse shpallet fajtor ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.