E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina injoron UNMIK, s’ka takime për Beogradin

 

Autoritetet e Prishtinës po injorojnë kërkesën e UNMIK-ut për të nisur bisedimet teknike mes Prishtinës e Beogradit.
Kreu i misionit të OKB-së, Lamberto Zannier po insiston mbi zhvillimin e këtij takimi. Ai tashmë ka kaluar dy takime me autoritetet e Beogradit mbi zbatimin e gjashtë-pikëshit të Ban Ki Mun të miratuar në Këshillin e Sigurimit, të cilin Kosova nuk e pranon. Sipas analistëve në Kosovë, situata e krijuar cilësohet si kaotike. UNMIK-u nuk heq dorë nga përpjekjet për të bindur Prishtinën dhe Beogradin në zhvillimin e bisedimeve teknike. Zannier po kërkon me insistim që të takohet me liderët kosovarë për t’i informuar ata mbi bisedimet që ka pasur me zyrtarë të Beogradit dhe të Brukselit. “Plani i PSSP-së është që sa më shpejt që të jetë e mundur të informojë Qeverinë këtu në Kosovë me takimet e tij në Bruksel dhe Beograd”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, i cili pranoi se të hënën ishte anuluar një takim mes Zannierit dhe zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi. Megjithatë, Ivanko tha se është koha që të dy kryeqytetet t’i nisin konsultimet teknike. “UNMIK-u është i gatshëm që të ndihmojë në çdo mënyrë që është e pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin”, tha ai. Por qeveria e Kosovës nuk është e interesuar për ndërmjetësim të UNMIK-ut në bisedimet eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit. Zyrtarë të lartë të ekzekutivit shprehen se për këtë çështje pranojnë si ndërmjetës vetëm SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Duke argumentuar se nuk qeveria nuk ka asgjë personale kundër zotit Zannier, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha se: “Ne e respektojmë autoritetin e tij, e respektojmë misionin e UNMIK-ut si të suksesshëm, që ka qenë deri më tani, por ajo që do të themi është se UNMIK-u nuk ka nevojë për një mandat të ri dhe nuk ka nevojë që të ngarkohet me aktivitetet që do t’ia zgjasnin jetën”, tha Kuçi. Plani gjashtë-pikësh, i hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, parashikon marrëveshje të reja për policinë, doganat, gjyqësinë, transportin, trashëgiminë kulturore e fetare serbe, si dhe administrimin e vijës kufitare. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë theksuar se bisedimet nuk mund të zhvillohen mbi temat, që shkelin Kushtetutën e Kosovës. Por OKB së shpejti do të nisë një seri takimesh mes UNMIK, EULEX, ICO, OSBE dhe autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës për të vënë në zbatim planin gjashtë pikësh duke rrezikuar kështu të injorojë qëndrimin e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›