Piktori Gjurkaj, ekspozitë në Suedi
Tanimë penela e tij është e njohur në Suedi. Më 1 mars në Sallën e Re, në Muzeun e Qytetit në Västervik të Suedisë u bë hapja e ekspozitës me titull “3+1 från Italienska Palatset”. Ekspozita përmban punimet e piktorit Shyqri Gjurkajt dhe të dy kolegëve të tij suedezë, Remus Wilson dhe Åke Bergkvist. Me këtë rast, Tina Person, poete dhe artiste e pati një videoperformancë, e cila do të vazhdojë të shfaqet gjatë gjithë kohës sa do të zgjatë ekspozita. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 25 mars të këtij viti. “Unë notoj në një botë me art, në një botë me ëndrra, në një botë me magji. Tri botë që nuk mund të shpjegohen. Nuk ka ndonjë logjikë mbi to, por kujt ia ndien për këtë. Kjo është bota e artit, ku e mundura dhe e pamundura, realja dhe jorealja, racionalja dhe irracionalja mund të jetojnë bashkërisht”, - thotë piktori, i cili do të vijojë me një tur ekspozitash në Suedi dhe vende të tjera të Evropës.