Tragjedia në Itali, trupat e viktimave vijnë të enjten
“Trupat e pjesëtarëve të familjes Gonaj, që humbën jetën tri ditë më parë në Itali nga shpërthimi i gazit, do të mbërrijnë në vendin tonë të enjten”. Këtë konfirmoi për gazetën konsullja e përgjithshme në Konsullatën tonë në Milano, Nausika Spahia. Ajo pohoi se autoritetet konsullore, menjëherë pas ngjarjes kanë marrë kontakte edhe me krerët e komunës, të cilët kanë marrë përsipër të gjitha shpenzimet e transferimit të trupave. “Trupat do të kthehen në Shqipëri ditën e enjte, mbasi të jenë kryer nga organet hetimore të gjitha procedurat e domosdoshme (autopsitë). Fatkeqësisht për familjarët që presin kufomat e të afërmve të tyre, kjo mund të jetë një kohë tepër e gjatë, por faktikisht është koha më e shpejtë e mundur, duke konsideruar procedurat burokratike”, u shpreh konsullja. Në opinionin publik në Itali kjo tragjedi ka patur një impakt shumë të fortë emocional. Si rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit në ndërtesë, humben jetën tre pjesëtarë të familjes Gonaj nga Shkodra, përkatësisht Angjelina Gonaj dhe dy fëmijët e saj, Dorian dhe Doriana. Aktualisht prokuroria e Firences po heton pistën e një vrasjeje të shumëfishtë. “Edhe komuniteti shqiptar që jeton në këtë zonë ka hedhur dyshime për këtë pistë, por janë organet përkatëse ato që do të zbardhin hetimin”, tha konsullja. Ajo shtoi se nga të gjitha komentet e autoriteteve lokale dhe të vendasve, komuniteti shqiptar është më i madhi në numër dhe më i integruari në jetën lokale. Këtë reputacion të shkëlqyer emigrantët shqiptarë të kësaj zone e kanë krijuar me vite të tëra pune të ndershme dhe sakrifica. Është vërtet një tragjedi”, nënvizoi konsullja. Nga ana tjetër ajo shtoi se nga bisedimet me institucionet në Shqipëri është shprehur gatishmëria për të ndihmuar familjen për transferimin e trupave nga Rinasi për në fshatin e Vrakës si Bashkia e Shkodrës, ashtu edhe Parlamenti i Shqipërisë.