Merita Jaha: Kosova,një çadër në duart e të tjerëve
ALMA MILE
Ajo nuk do të kujtojë vitet e luftës. “Tanimë kemi gjëra më të bukura për të kujtuar”, - thotë ajo. Përvjetori i parë i Pavarësisë së Kosovës nuk mund të mos ishte një rast më i mirë. Merita Jaha i përket brezit të artistëve të rinj kosovarë, që ka përjetuar në mënyrë intensive shkëputjen e Kosovës nga Serbia, vitet e luftës e së fundi pavarësinë. Megjithatë, preferon të mos shohë pas dhe të përfshihet në gjeneratën “New Born”. Madje, qysh në shkollë, ajo thotë se dallohej për stilin ndryshe të së pikturuarit, pa u ndikuar nga mësuesit apo piktorë-idhuj. Këto ditë ajo ndodhet në Tiranë për të prezantuar disa tablo të saj, në ekspozitën e hapur në galerinë “Zenit”, me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës. Një ekspozitë e përbashkët, që tenton të japë imazhin e Kosovës së pavarur në sytë e artistëve. Në atë galeri pikturash, ku çdonjëri nga artistët ka përcjellë konceptin e tij mbi shtetin e ri, apo individin në këtë shtet të ri, tablotë e Meritës tërheqin vëmendjen për shumë arsye. Së pari, sepse të gjitha kanë një element të përbashkët, që është çadra, më tej janë ngjyrat, kombinimi i tyre dhe një lloj pasigurie, ku fshihet një optimizëm i brishtë. Është fati i artistit të ri, në një kontekst sa të ri, aq edhe të vjetër sa vetë jeta. Kosova vetëm sa ka ndryshuar status, por ende vazhdon të jetë po ajo. “Para dhe pas pavarësisë nuk ka ndonjë ndryshim të madh, situata është thuajse e njëjtë. Nuk është keq, por ka mundësi edhe për më mirë”, - thotë Merita, teksa thotë me bindje se artistët e rinj, nuk duhet të presin vetëm nga politikat e shtetit, por t’u imponohen atyre me artin që bëjnë. Në ekspozitën e hapur në “Zenit”, ajo është paraqitur me disa punë të shkëputura nga cikli i saj “Rrugëtim në hapësirë”, i cili ndonëse nuk është krijuar enkas për këtë paraqitje, i shkon për shtat idesë kuratoriale. Kur e pyet se si mund të lexohet simboli çadër, ajo thotë se ka disa plane leximi. Mund të përkthehet si një çadër në mes të stuhisë, duke marrë parasysh kohërat e vështira që ka kaluar Kosova, e vetme mes sulmeve të së gjitha anëve, por mund të kuptohet edhe si një vend ende “i mbrojtur nga çadrat e të tjerave, që ende nuk drejtohet vetë”. Gjithsesi, pavarësisht këtyre rrafsheve, përjetimi është shumë më i brendshëm dhe personal. “Ka të bëjë dhe me jetën time private, me atë që ne po përballemi si artistë në Kosovë, por që përputhet dhe me ngjarjet e Kosovës në përgjithësi”. Pinjolle e një familje artistësh, ku duke filluar që nga i gjyshi, themelues i teatrit të Gjakovës, i ati, disenjator, etj., Merita ndihet mirë në këtë panoramë familjare. Ka filluar të pikturojë qysh e vogël, por piktura u kthye në një profesion, qysh kur nisi Akademinë e Arteve të Bukura, në vitin 2004. Numëron rreth 400 tablo, ku tematika dhe përjetimet janë nga më të ndryshmet. Por piktorja nuk e sheh artin vetëm si një mënyrë për të shprehur veten, për ta zbrazur atë nga emocionet e shumta që të shkaktojnë ngjarjet e mëdha, siç janë ato që kanë ndodhur në Kosovë, por edhe për të “shpëtuar” të tjerët. Përveç ekspozitave ku ajo tenton të jetë gjithnjë e pranishme me punët e saj, është duke punuar për një projekt në ndihmë të fëmijëve jetimë. “Do të ngre një kurs pa pagesë për fëmijë në Prishtinë, për ata bonjakë por edhe për ata të nacionaliteteve në Kosovë. Në fund të vitit parashikoj që të organizoj edhe një ankand me punët e tyre, që këta fëmijë të përfitojnë diçka financiarisht”, - thotë piktorja, e cila tanimë është në fazën e kërkimit të sponsorëve. Duke qenë se në Kosovë ka ende shumë fëmijë të traumatizuar, të cilët vuajnë pasojat e pasluftës, ajo shpreson t’u vijë në ndihmë në një tjetër formë. “Arti mendoj se mund të ndihmojë shumë më tepër se edhe një psikolog”, - thotë ajo, ndërsa synon që të vijojë më tej studimet për të qasur artin me psikologjinë, për t’u ardhur më shumë në ndihmë të tjerëve.
Ekspozita
Përgjatë dy javëve në galerinë “Zenit” do të qëndrojë e hapur ekspozita “New Born” me punë të 6 piktorëve kosovarë. Në të përfshihen punë nga ciklet “Kryengritje” nga Gembi Xerxa, “Pulsionet” nga Alban Meka, “Melankolia” nga Kastriot Nuraj, “E kuqe vatre” nga Gani Gashi, “Gjurmë Kosove ‘99" nga Ali Oseku, “Rrugëtim në hapësirë” nga Merita Jaha.
Piktorja
Merita Jaha, ka filluar të ekspozojë qysh në vitin 2004 në Prishtinë, për të vijuar me të tjera ekspozita në Belgjikë, Maqedoni, Bullgari, Shqipëri, etj. Në vitin 2005 është fituese e medaljes së bronztë ndërkombëtare nga Akademia Evropiane e Arteve në Gembloux në Belgjikë dhe një vit më vonë, është fituese e medaljes së artë.