Restaurohen 40 ikona të shekullit XVII
Korçë- Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, ka filluar restaurimi i 40 ikonave të vjetra të Shekullit të XVII–të. Ato janë përzgjedhur nga fondi i artë i këtij institucioni dhe pritet që me restaurimin e plotë të tyre të rifreskojnë vlerat që kanë pasur. Dëshira për t’i kthyer në identitet këto vlera kulturore ka qenë preokupimi i 14 restauratorëve të këtij muzeu dhe i drejtuesve të tij. Sipas drejtorit të Muzeut, Lorenc Glozheni stafi që ai drejton është i specializuar për kryerjen e këtyre restaurimeve. Kjo jo vetëm nga përvoja e grumbulluar prej dekadash, por edhe nga specializimi që kanë kryer në Muzeun Bizantin në Selanik. Ikonat e përzgjedhura mbajnë firmën e autorëve të ndryshëm shqiptarë, ndër të cilat spikat dora e Zografëve në shek. XVII dhe bëjnë pjesë fondin e më të mirave të këtij muzeu. Gjatë vitit në vazhdim këto ikona, pasi të restaurohen do të zënë vend në sallën e ekspozitës së këtij muzeu, duke u bërë kështu të vizitueshme nga vizitorë vendas dhe të huaj. Njëherësh stafi i këtij muzeu do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe me muzetë analoge në vende të ndryshme të Evropës. Glozheni u shpreh se “Me restaurimet e konservimet e ikonave të mësipërme, por edhe me shumë nga ikonat e rralla të muzeut tonë, në qershor të këtij viti do të çelet një ekspozitë në rajonin e Pulias në Itali”. Ekspozita të tilla janë planifikuar për t’u hapur edhe në vende të tjera si në Austri, Gjermani etj. “Të tilla bashkëpunime jemi duke kryer edhe me disa muze të kulturës në Greqi, veçanërisht dhe Muzeun Bizantin të Selanikut”, thotë ai. Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë gjenden 6500 ikona dhe 1500 objekte të tjera prej guri, druri, tekstili e metali. Për restaurimin e mbrojtjen e kësaj pasurie në mjediset e tij funksionojnë dy laboratorë: ai i restaurimit të ikonave dhe ai kimik. Restauratorët e këtij muzeu janë të specializuar brenda e jashtë vendit dhe çdo ditë punojnë për ruajtjen e identitetit të ikonave të trashëguara nga shekulli i XIV e në vazhdim. J. Gjançi