E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, konsumatorët vidhen edhe në sasi

19/03/2010 Kontrolli i ushtruar nxjerr se për 20 litra shoferëve u mbahen në pompa 190 ml

Qytetarët shqiptarë përveç çmimeve të larta që aplikohen nga kompanitë e karburanteve edhe vidhen në peshë nga këto të fundit. Ndonëse Drejtoria e përgjithshme e Meteorologjisë dhe Kalibrimit e ka vlerësuar shumë të vogël këtë fakt sepse është konstatuar vetëm në rreth 5 për qind të tregut, sërish fenomeni është i prekshëm. Ditën e djeshme drejtuesit e kësaj drejtorie kanë ushtruar një kontroll të befasishëm në pikat e karburanteve në Tiranë në prani të gazetarëve për të verifikuar situatën në terren. Ky institucion po e shtrin kontrollin në të gjithë vendin dhe paraprakisht mësohet se janë konstatuar një sërë parregullsish që kanë të bëjnë me peshën dhe për këtë janë vënë edhe gjoba. "Nga kontrollet e ushtruara kemi konstatuar shkelje për sa i përket tolerancave të lejueshme për pikat e karburanteve”, deklaroi Angjelina Kola, drejtore e Metrologjisë dhe Kalibrimit. Sipas saj, pompat e karburanteve në disa pika nuk kanë qenë brenda tolerancës së lejuar me ligj, në zero ose plus, por është konstatuar deri në minus 190 ml për 20 litra karburant. Kjo nuk është hera e parë që konstatohen shkelje të tilla, por duket se gjithçka ka mbetur në kuadrin e lajmeve, pasi situata vazhdon të jetë e njëjtë dhe po ashtu të njëjtët që e vuajnë janë vetë konsumatorët. Tashmë janë një sërë institucionesh që e kanë deklaruar se tregu i karburanteve është monopol, madje importuesve dhe tregtarëve u janë vendosur gjoba të majme, këtë të fundit janë ankimuar në gjykata dhe situata mbetet e pandryshuar. Madje, përfaqësuesit e Konfindustrisë kanë hedhur edhe akuza se tregu i karburanteve në vendin tonë funksionon si një kartel dhe qeveria duhet të marrë masa për ngritjen e një enti, i cili të ketë si objekt të punës vetëm kontrollin e këtij tregu. Në të gjithë vendin janë rreth një mijë pika shitje me pakicë të karburanteve kryesisht të vendosur në disa nga akset nacionalë të vendit. Disa prej tyre punojnë vetëm disa muaj në vit, pasi janë pika sezonale të shitjes, ndërkohë që pjesa tjetër vijon normalisht, pavarësisht se janë ndërtuar shumë afër njëra-tjetrës në shkelje të plotë të distancave që përcakton ligji.

Cilësia

Ndërkaq konsumatori shqiptar nuk është i cenuar vetëm nga vjedhja e sasisë së karburantit, por edhe nga cilësia e tij. Task Forca e Tatimeve ka ndaluar mbrëmjen e së mërkurës një bot me 22 mijë litra verxhina, lëndë djegëse, e cila dyshohet se përzihet me naftën dhe i shitet konsumatorit shqiptar.

Çmimet

Çmimet në tregun e karburanteve mund të rriten sërish. Duke ju referuar të dhënave në tregjet ndërkombëtare për 2010-ën, kuotimi i produkteve gjatë periudhës janar-mars ka ndryshuar, duke pësuar rritje çmimi. Në Shqipëri këto efekte, sipas kreut të shoqatës, nuk janë ndjerë si rezultat i përdorimit të rezervave ligjore të sigurisë për karburantet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›