Karburantet, me cilësi dhe çmime abuzuese
Duket se shqiptarët nuk po vuajnë vetëm nga çmimet e larta të karburanteve, duke e paguar atë disa herë më shtrenjtë se vendet e tjera. Problemet me sektorin janë edhe më mëdha kur mëson faktin se karburantin që blejnë nuk e marrin me cilësinë e duhur apo në sasi të plotë. Akuzat vijnë nga grupi i bizneseve industrialiste në vend, që me anë të Konfindustrisë kërkojnë nga qeveria të merren masat e menjëhershme. Me kohë Konfindustria ka hedhur idenë e krijimit të Entit Rregullator të Karburanteve, sikundër ndodh në vendet e tjera. Krijimi i këtij Enti do të rregullonte disi tregun, e cili duket jashtë kontrollit. "Përveç çrregullimit të plotë të çmimit vendor të tregut të karburanteve të ulur në vetëm 35% krahasimisht me kahun zbritës të theksuar të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, që tashmë i është afruar shifrës prej 300% ulje në 4 muaj, tregu i karburanteve në vend shfaq probleme të rënda, që kanë lidhje edhe me cilësinë dhe abuzimin në peshë ose vëllim të rrjetit të distributorëve ndaj konsumatorëve biznes dhe qytetarë", u shpreh dje, administratori i Përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku. Sipas tij, këto probleme duhen zgjidhur nga institucionet shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për kontrollin e tregut: Inspektorati Shtetëror i kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre dhe Drejtoria e Kalibrimit. Konfindustria vlerëson se abuzimi me cilësinë dhe volumin në shitje të karburanteve është tjetër kosto shtesë mbi koston e përgjithshme të karburanteve që qarkullojnë në tregun shqiptar, kosto që edhe kështu paraqitet mjaft e rënduar, duke pasur parasysh mungesën e qartë të elasticitetit të pasqyrimit të uljes së çmimit në tregjet botërore. "Kosto shtesë e karburanteve, që tregtohen, shkaktuar nga mbivendosja e 3 kostove abuzive të mësipërme: çmim, cilësi dhe volum, rëndon tej mase biznesin në përgjithësi, industritë në veçanti, sikundër ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë", thotë Buxhuku.