E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbarimi privat, dilema për kompetencat

Në një kohë kur rreth 8500 vendime të gjykatave nuk janë zbatuar nga përmbarimi, duket se reforma në këtë sektor është e pashmangshme. Për të zhbllokuar situatën, qeveria ka miratuar së fundmi një projektligj, i cili hap rrugën për krijimin e një "Shërbimi përmbarimor privat". Projektligji ka mbërritur me kohë në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku anëtarët e forcave të ndryshme politike po përpiqen të gjejnë anët më të mira të ligjit, në mënyrë që zbatimi i tij të sjellë zhbllokimin e situatës me vendimet e pazbatuara të gjyqësorit. Në fakt, situata vlerësohet mjaft kritike edhe nga Presidenti i Republikës, i cili gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka kërkuar marrjen e masave "për të dalë nga kjo gjendje skandaloze". Megjithatë, debati i deritanishëm në Komisionin e Ligjeve po vërtitet rreth kompetencave të përmbarimit privat, si dhe për tarifat që do të aplikojë për rastet e ndryshme.

Shërbimi

Ligji i ri parashikon liberalizimin e këtij shërbimi, duke sjellë ulje të tarifave dhe ngarkesën e punës për përmbarimin shtetëror, përfshi këtu dhe rritjen e cilësisë. Projektligji për "Shërbimin përmbarimor gjyqësor privat" është hartuar me mbështetjen e misionit Euralius, duke ndjekur shembullin e disa shteteve të rajonit. Që me hyrjen në fuqi të ligjit, qytetari ose institucioni shtetëror ka të drejtë të zgjedhë sipas preferencës përmbarimin shtetëror apo privat në drejtim të zgjidhjes së çështjes, për të cilën është marrë një vendim gjyqësor. Në këtë pikë, Komisioni i Ligjeve nuk e ka të zgjidhur ende çështjen e tarifave të shërbimit, ku shumë pyetje vërtiten rreth nivelit të tyre dhe formës së aplikimit. Drejtues nga Ministria e Drejtësisë shpjegojnë se tarifat do të vendosen me anë të një udhëzimi të përbashkët mes Ministrisë së Financave, asaj të Drejtësisë, duke marrë edhe mendimin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë. "Shërbimi përmbarimor privat do të jetë shërbim plotësues ndaj shërbimit përmbarimor shtetëror, ndërsa do të jetë kreditori që do të bëjë zgjedhjen e tij në treg. Megjithatë, ligji i ri ka vendosur parimin e përcaktimit të tarifave, konkretisht neni 47", shprehet Marsida Xhafellari, drejtore e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Specialistët e ministrisë mendojnë se tarifat e përmbarimit privat do të jenë disi më të larta se ato shtetëroret, ndërsa për sa i takon mënyrës së pagimit, palët mund të vendosin për parapagim ose një pjesë fitimi në rast të një ekzekutimi të suksesshëm. Sa për tarifat e larta, ajo që e shqetëson më tepër opozitën është mungesa e liberalizimit të plotë e tregut, pasi në projektligj thuhet se do të ngrihet vetëm një përmbarim privat. Madje opozita e ka kushtëzuar votën pro me liberalizimin e këtij tregu, por këshilltari i ministrit të Drejtësisë, Enid Minarolli, ka sqaruar se, "ajo që ka më shumë interes është transparenca e procesit", ndërsa Marsela Mezini, specialiste në Drejtorinë e Përmbarimit, thotë se "liberalizimi i tregut do të vijë në mënyrë graduale". Po nëse shtetasit apo kreditori, në qoftë se nuk merr përgjigje nga përmbarimi shtetëror, mund t‘i drejtohet atij privat? Kjo pyetje përbën dilemën e radhës për Komisionin e Ligjeve, që parashikon ta miratojë ligjin këtë javë. Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë sqarojnë se lidhur me çështjen është përcaktuar në Kodin e Procedurës Civile, për sa u takon kompetencave. Në këtë ligj është futur neni 516, që rregullon konfliktin e kompetencave të mundshme. Me këtë nen është futur koncepti i një regjistri kombëtar, ku çdo debitor do të regjistrohet në një regjistër elektronik, ku të dhënat do të mbahen në Ministrinë e Drejtësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›