E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 10% nga privatizimet për ish të përndjekurit

Qeveria siguron fondin për kompensimin e ish të përndjekurve nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore. 10% e privatizime do t`i bashkëngjiten fondit të posaçëm për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Ministri i Financave, Ridvan Bode, duket se ka dëgjuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike për të përdorur një pjesë të fondit të privatizimeve për kompensimin e ish të përndjekurve politikë të diktaturës. Nga ana tjetër, të përndjekurit politikë kërkojnë sa më parë dëmshpërblimin për shkak se një pjesë e madhe e tyre janë në moshë të madhe. Prej një kohe të gjatë, deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, ka kërkuar nga qeveria që të rishikojë hapësirat që një pjesë e të ardhurave nga privatizimi të përdoren për ish të dënuarit politikë në kohën e diktaturës.

Sipas të dhënave, janë 17 mijë e 500 ish të përndjekur politikë që presin të dëmshpërblehen për vitet e tyre të burgut në kohën e regjimit komunist. "Sipas të dhënave të projektbuxhetit është parashikuar që për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë të vihen në dispozicion 2 miliardë lekë ose rreth 21 milionë dollarë. Duke pasur parasysh pamundësinë e lëvrimit të fondit gjatë viteve të kaluara mendoj dhe propozoj që të rishikohet shpërndarja e të ardhurave nga privatizimi", është shprehur deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj. Në këtë pikë, deputeti Leskaj ka ndërhyrë në nenin 8 të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2009", që 20% të të ardhurave nga privatizimi të përdoren për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe pjesa tjetër ashtu siç është dhe parashikuar e kornizuar nga marrëveshja me FMN për financimin e deficitit 50% dhe për investimet 30%. "Kjo pagesë shtesë nuk do të privilegjonte këtë shtresë, por thjesht do të kompensonte pagesat e munguara gjatë viteve të kaluara dhe mbi të gjitha do tregonte koherencën tonë dhe seriozitetin e kësaj mazhorance në përmbushjen e detyrimeve ligjore e politike", u shpreh Leskaj. Deputeti demokrat i Vlorës e konsideron rritjen e të ardhurave nga privatizimi dhe përdorimi i tyre në masën 50% për rritjen e shpenzimeve për investime që ndihmon në shtyrjen para të projekteve të nisura për modernizimin e infrastrukturës së vendit. "Por mendoj se në këtë pikë duhen parë hapësirat për përmirësim, me qëllim përdorimin sa më me eficencë dhe drejtësi të këtyre të ardhurave", ka kërkuar Leskaj.

Drafti

Sipas projektligjit aktual të qeverisë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, është vendosur një dëmshpërblim prej 2 mijë lekësh për çdo ditë vuajtje në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi nga data 30.11.1944 - 01.10.1991. Ndërsa për të dënuarit me internim në kamp me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit financiar është 1 mijë lekë në ditë. Ndërkohë që është hequr nga projekti neni 6, i cili penalizonte të gjithë ish-funksionarët e lartë që janë pushkatuar ose dënuar me burg. Ish të përndjekurit kërkojnë që dëmshpërblimi të bëhet mbi bazën e Kodit Penal, sipas të cilit një ditë burg është e barabartë me 2 mijë lekë të reja. Ata kërkojnë që të dëmshpërblehet edhe hetimi, i cili në bazë të Kodit është pesë mijë lekë të reja. Ndërsa për kategoritë e ish të përndjekurve, është e vështirë ta përcaktosh, pasi shumica e tyre janë në moshë të thyer ose invalidë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›