Pranimet në universitete, shtohen kuotat për vitin e ardhshëm
Projektbuxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2012 është planifikuar 38.93 miliardë lekë, ose 2.8 për qind e PBB-së
Më shumë studentë do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm akademik në universitetet publike. Qeveria ka parashikuar rritjen me 5% të kuotave për studentët e ciklit të parë, si dhe dyfishim të studentëve në degët e teknologjisë së informacionit (TI). Edhe për ciklin e dytë të studimeve kuotat e pranimit do të shtohen me 5%, ndërsa është parashikuar hapja e rreth 30 kurrikulave të reja të Masterit Profesional dhe atij Shkencor, si dhe e 10 programeve studimi në Doktoraturë. Në këto drejtime do të fokusohen fondet e Ministrisë së Arsimit për arsimin e lartë në vitin 2012. Tashmë ka nisur diskutimi i buxhetit të ri për arsimin, që për vitin 2012 është planifikuar të jetë 38.93 miliardë lekë, ose 2.8 për qind e PBB-së. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit diskutoi dje projektbuxhetin e shtetit për vitin 2012 nga përfaqësues të Ministrisë së Financave. Drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, bëri një prezantim të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2012 në lidhje me arsimin, kulturën, rininë, shkencën, sportin. Dhëmbi tha se buxheti është realist dhe aspak konservator, ndërkohë që në mesin e vitit 2012 pritet të bëhet një buxhet shtesë në lidhje me nevojat që do të paraqiten gjatë vitit për çdo sektor. Sipas deputetes së opozitës në komision, Ledi Shamku, buxheti i realizuar nga qeveria për arsimin është në pikën më të ulët të tij që nga viti 1998. Ndërkaq, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga përfaqësuesit e Financave se cili është impakti më i keq i krizës greke dhe italiane në Shqipëri. Sipas drejtorit të Politikave Makroekonomike në Ministrinë e Financave, Endrit Lami, skenari më i keq do të ishte nëse këto dy vende do të falimentonin, por ky është cilësuar prej tij si një skenar pesimist, duke pohuar se buxheti 2012 është një projeksion në qendër. Anëtarët e komisionit drejtuan një sërë pyetjesh përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe kërkuan që në mbledhjen tjetër të radhës përfaqësues nga Ministria e Financave të paraqesin një tabelë shifrash në të cilën të pasqyrohet shpërndarja e buxhetit të parashikuar nga qeveria në vitin e ardhshëm në lidhje me arsimin, kulturën, shkencën, sportin. Po kështu, deputetët e opozitës kanë kërkuar shifra për shpenzimet në arsim gjatë 3 viteve të fundit, për të bërë në këtë mënyrë një bilanc, nëse është ose jo arsimi prioritet i qeverisë. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2012, bazuar në shpërndarjen e shpenzimeve publike midis ministrive, vlerësohet se në vitin 2012 niveli i shpenzimeve publike do të shënojë rritje për të gjithë sektorët prioritarë. Kështu, sektori i arsimit do të arrijë nivelin 3.2% të PBB. Projektbuxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2012 është planifikuar 38.93 miliardë lekë, ose 2.8 për qind e PBB-së.
Fondet për arsimin
Këto fonde do të shërbejnë kryesisht në arritjen e objektivave të mëposhtëm:
Rritja e aksesit të fëmijëve 5-vjeçarë me 8% në klasat përgatitore me 2700 fëmijë më shumë.
Modernizimi i arsimit parashkollor, përmes trajnimit të mësuesve (15-20% në vit), rikonstruksionit dhe ndërtimit (150 -200 klasa në vit) të kopshteve dhe pajisjes me bazë materiale didaktike.
Rritja e mëtejshme e cilësisë së mësimdhënies, me qëllim që deri në vitin 2020 të arrihen standardet e vendeve të BE-së.
Rritja dhe zgjerimi i kërkimit shkencor në Shqipëri bazuar në treguesit e OECD, ku pjesa e shpenzimeve publike në vitin 2011 të arrijë 0,35% të GDP (e përllogaritur për universitetet publike e private, ministritë e linjës, institucione të tjera kërkimore shtetërore, Akademia e Shkencave si dhe biznese).
Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies për arritjen e standardeve të OECD, matur kjo me raportin student/pedagog, përmirësimin e metodave të mësimdhënies, rritjen e numrit të pedagogëve me 400, rritjen e numrit të laboratorëve shkencorë dhe/ose përmirësimin dhe zgjerimin e tyre.
Të sigurohet cilësia e programeve të studimit, dhe implementimi i sistemit të krediteve për studentët e universiteteve publike, bazuar në kualifikimin standard të Bolonjës.
Të zgjerohet sistemi i arsimit të lartë përmes:
Rritjes së të pranuarve nga shkollat e mesme me 5%.
Dyfishimi i studentëve në degët e teknologjisë së informacionit (TI).
Hapjes së rreth 30 kurrikulave të reja të MP/Msc dhe 10 programeve studimi në PhD.
Shtimit të studentëve në TI dhe inxhinieri me 10%.
Shtimin me 5% të numrit studentëve në ciklin e dytë.
Rritja e autonomisë së universiteteve përmes:
Rritjes së autonomisë administrative e financiare të universiteteve publike.
Rritjes së dimensionit social përmes tarifave të shkollimit të diferencuara, shtimit të bursave për studentët në nevojë.
Mbështetjes financiare për përmirësimin e kushteve në shtëpitë e studentëve,
autonomisë së universiteteve, me synim rritjen e të ardhurave të tyre nga të tretët (vlerësuar me rritje të % së GDP për arsimin e lartë).
Rritja e autonomisë akademike, strukturore, administrative dhe financiare të universiteteve publike.