E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetjet spitalore, ende pa zgjidhje asgjësimi

Mbetet ende pa zgjidhje çështja e asgjësimin të barnave të skaduara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërsa Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë duhet të kontraktojë një palë të tretë me leje mjedisore për këtë proces, pasi kjo është e vetmja rrugë ligjore për mbetjet spitalore, Ministria e Shëndetësisë gjykon se jo të gjitha barnat mund të konsiderohen si mbetje të rrezikshme. Por, Ministria e Mjedisit i konsideron të gjitha të rrezikshme dhe është kategorikishit kundër groposjes, apo djegies në icenerator të barnave. Iceneratori me djegie, që është brenda QSUT-së nuk funksionon prej një viti, pasi është pa leje mjedisore dhe kjo metodë nuk lejohet më të përdoret as në vendet e tjera europiane. Sipas ligjit lejohet vetëm asgjësimi në autoklavë, ose eksportimi nga palë të treta të specializuara për këtë punë. Drejtori i Politikave, Pëllumb Pipero, thotë se Ministria e Shëndetësisë kërkon që së bashku me inspektorë të Ministrisë së Mjedisit t’i seleksionojnë dhe një pjesë t’i kalojnë në autoklavë, pjesën tjetër t’i groposin, gjë që nuk pranohet nga autoritetet e Mjedisit. Gjatë këtyre dy viteve, spitalet dhe qendrat shëndetësore kanë marrë gjoba të konsiderueshme nga Inspektorati i Mjedisit, pasi nuk i asgjësojnë mbetjet spitalore, ku hyjnë dhe mbetjet e buta. Një pjesë e mirë e këtyre gjobave janë në ekzekutim nga Përmbarimi. Por, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky është ndëshkim i gabuar. Por, sipas përfaqësuesve të Mjedisit, gjobat për mbetjet spitalore nuk janë për të rënduar buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, por për t’i sensibilizuar, që të zbatojnë legjislacionin. Sipas Ministrisë së Mjedisit, ka ardhur koha që Shëndetësia të investojë për një tjetër icenerator, në mënyrë që asgjësimi i mbetjeve spitalore të kryhet sipas ligjit. Barnat kur janë të skaduara konsiderohen të gjitha mbetje të rrezikshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›