Matura, Tafaj: Anglishtja provim i detyruar më 2013
Ministri: Në Maturën e vitit të ardhshëm 2012 pritet që numri i maturantëve që do të zgjedhin gjuhën e huaj të jetë rreth dy herë më i madh, ndërsa për vitin 2013 do të krijohen plotësisht kushtet që gjuha e huaj e parë të jetë një provim i detyruar i Maturës Shtetërore
Anglishtja do të jetë provim me detyrim në Maturën e vitit 2013. Kështu është shprehur ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë një takimi me gjimnazistët e liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë, të cilët u certifikuan për TOEFL, projekt ky i mbështetur nga Ambasada Amerikane. Në fakt, futja e anglishtes si provim me detyrim ishte parashikuar për Maturën e vitit 2012, por ministri i Arsimit pranoi se njohuritë e anglishtes në shkollat e zonave rurale janë problematike, çka do të thotë se duhet ende kohë për marrjen e një vendimi të tillë. Nga ana tjetër, ministri Tafaj ka pohuar se vitet e fundit numri i maturantëve që kanë zgjedhur gjuhën angleze si lëndë me zgjedhje në provimet e Maturës ka ardhur në rritje. “Numri i maturantëve që zgjedhin gjuhën e huaj dhe në mënyrë të veçantë gjuhën angleze si provim të Maturës Shtetërore, po rritet nga viti në vit. Vitin e kaluar ishin rreth 35% e maturantëve që e zgjodhën gjuhën angleze si provim të Maturës dhe rezultatet në këtë provim ishin më të lartat krahasuar me lëndët e detyruara dhe me zgjedhje. Ndërsa në zonën urbane ky objektiv po realizohet, në shkollat e zonave rurale jemi ende mbrapa, edhe pse numri i mësuesve të diplomuar në gjuhët e huaja është rritur shumë. Në Maturën e vitit të ardhshëm 2012 pritet që numri i maturantëve që do të zgjedhin gjuhën e huaj të jetë rreth dy herë më i madh, ndërsa për vitin 2013 do të krijohen plotësisht kushtet që gjuha e huaj e parë të jetë një provim i detyruar i Maturës Shtetërore”, - u shpreh ministri Tafaj. Më tej ai theksoi se zotërimi i mirë i gjuhës së huaj në përfundim të arsimit të mesëm është një premisë bazë për rritjen e cilësisë dhe në mënyrë të veçantë ndërkombëtarizimin e studimeve universitare të nivelit Master dhe Doktoratë në universitetet tona. Për këtë ai u shpreh se “zotërimi i një gjuhe të huaj është një ‘armë e fortë’ që i shumëfishon shanset për punësim dhe integrim, çdo të reje e të riu në tregun vendas dhe më gjerë”. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u shpreh se politikat arsimore kanë krijuar hapësira të mjaftueshme për mësimin e gjuhëve të huaja, në kurrikulën e arsimit parauniversitar, gjë e cila i mundëson çdo nxënësi të përfundojë arsimin e mesëm duke zotëruar dy gjuhë të huaja. Këto deklarata kreu i Arsimit i ka bërë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave gjimnazistëve të Tiranës, në kuadër të projektit të promovimit të gjuhës angleze, i titulluar “Junior TOEFL test”. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin dypalësh në fushën e arsimit dhe garantoi mbështetjen e Ambasadës së SHBA për projekte dhe programe të cilat kontribuojnë në përgatitjen e të rinjve shqiptarë me aftësitë konkurruese në tregun global. Ambasadori nënvizoi se të rinjtë shqiptarë, për të qenë konkurrentë duhet të jenë më të mirët në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre në rajon. Aktiviteti u organizua në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” dhe hapi Javën e Arsimit Ndërkombëtar në Tiranë.
10 kredite është vlerësuar gjuha e huaj e parë, kur është pjesë e kurrikulës bërthamë dhe 6 kredite gjuha e huaj e dytë, kur është pjesë e kurrikulës me zgjedhje.
20% do të jetë pesha specifike e lëndëve me detyrim në Maturën 2012, ndërsa pesha e lëndëve me zgjedhje, 2 apo 3, do të jetë 40%.
35% e maturantëve kanë zgjedhur gjuhën angleze si provim të Maturës dhe rezultatet në këtë provim ishin më të lartat krahasuar me lëndët e tjera