E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të ndalet dalja e kapitaleve jashtë vendit

Konfindustria shpreh domosdoshmërinë e përfitimit më të madh të mundshëm nga statusi i sotëm i Shqipërisë për mosliberalizimin e lëvizjes së kapitalit përfshi edhe nga sistemi bankar, duke i kërkuar institucioneve përkatëse si Qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe sidomos Shërbimit Informativ Shtetëror të parandalojnë çdo përpjekje për daljen e paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit.

“Duhet patur parasysh, se pavarësisht se një pjesë e ndjeshme e sistemit bankar shqiptar është në pronësi të bankave ‘mëmë’ në Greqi, mbështetur në ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë, lejohet kalimi jashtë vendit vetëm të dividentit të krijuar. Kjo do të thotë, se sistemi bankar shqiptar përfshi edhe bankat me kapital grek është krejtësisht i mbrojtur nga goditjet nga jashtë si dhe gjendja e sistemit bankar grek”, deklaron kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Sipas tij, kusht i rëndësishëm është zbatimi me rreptësi i ligjeve ne fuqi për ndalimin e daljes së parave shqiptare jashtë vendit, përveç masave të nevojshme ligjore për bërjen të mundur të shtimit të të hyrave nga jashtë në ekonominë kombëtare, ku përmendim kryerjen në kohë të shpejtë të Faljes Fiskale për qytetarët shqiptare.

Konfindustria mendon, se nëse ndërmerren një sërë veprimesh institucionale dhe ligjore, është plotësisht e mundur që ekonomia shqiptare jo vetëm të mos preket rëndë nga kriza në Greqi, por edhe të përfitoj ndjeshëm në afatgjatë në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›