E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardinali Zen: Situata e Kishës Katolike në Kinë është përkeqësuar këto vitet e fundit

Situata e Kishës Katolike në Kinë është shqetësuese dhe është përkeqësuar këto vitet e fundit. Kështu u shpreh dje kardinali Zen Ze Kjun në një konferencë për shtyp mbajtur në Hong-Kong. Prelati akuzoi qeverinë kineze se është përpjekur të korruptojë disa ipeshkvij që janë emëruar me “miratimin e dyfishtë” të Selisë Shenjte por edhe të qeverisë kineze, për t’i bindur këta që të mbështesin nevojën e shkëputjes së Kishës Katolike Kineze nga Vatikani. Pastaj kardinali vuri në dukje se në Kinë sot për sot ka afro 60 ipeshkvij, ndër të cilët, më pak se dhjetë nuk e kanë marrë miratimin e Selisë Shenjte. Ndërmjet të tjerash prelati akuzoi edhe drejtuesit e Shoqatës Patriotike të Katolikëve Kinezë se po pengojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit dhe Kinës, marrëdhënie këto që siç dihen janë ndërprerë në vitin 1951. Deklaratat e kardinalit Zen u bënë në kuadrin e aktiviteteve përkujtimore për viktimat e masakrave të 4 qershorit 1989 në Sheshin Tienanmen, kur ushtria kineze shtiu me armë kundër studentëve të cilët që prej dy muajsh kërkonin ndërtimin e një sistemi demokratik.

Më 4 qershor në Asizi, do të zgjidhet Ministri i ri i Përgjithshëm i Urdhrit të Fretërve të Vegjël/Me datën 4 qershor në Asizi, Etërit Françeskanë, mbledhur për Kapitullin e Përgjithshëm të Rregullit, do të zgjedhin Ministrin e tyre të ri të Përgjithshëm, pra Eprorin e ri të Përgjithshëm. Me këtë rast Papa Benedikti XVI emëroi kardinalin Zhozè Saraiva Martins, prefekt nderi i Kongregatës së Çështjeve të Shenjtërve, të dërguar të tij të posaçëm për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe për familjen françeskane e për të udhequr mbledhjen e zgjedhjes së Ministrit të ri të Përgjithshëm të Urdhërit Françeskan të Fretërve të Vegjël.

Tema dhe aspirata të Vitit Meshtarak/Meshtarët janë të rëndësishëm jo për çka bëjnë, por për çka janë e populli i besimtarëve dëshiron t’i shikojë, në punën e tyre apostolike, “të lumtur, të shenjtë e të gëzuar”. Fraza është e kardinalit Klaudio Hjums, prefekt i Kongregatës për Klerin, i cili e ka shkruar në letrën, që u dërgoi disa ditë më parë rreth 400 mijë priftërinjve. Në më pak se dy javë, ata do të kremtojnë, sëbashku me Papën Benedikti XVI, fillimin e Vitit kushtuar meshtarëve. Sekretari i dikasterit vatikanas, kryeipeshkvi Mauro Piaçenca shpjegon në mikrofonin e Radio Vatikanit, cilat janë temat dhe aspiratat e këtij viti. 

Ati i Shenjtë e ka shumë për zemër, siç është e natyrshme, jetën, përshpirtërinë, shenjtërimin dhe misionin e meshtarëve. Vetë asambleja e përgjithshme e Kongregatës për Klerin, në audiencën gjatë së cilës u shpall Viti meshtarak, kishte një titull mjaft domethënës: “Identiteti misionar i meshtarit në Kishë, si përmasë përbërëse e ushtrimit të “tria munera”(tri detyrave të meshtarit: predikimi, shenjtërimi dhe udhëheqja e popullit të Zotit). Prandaj, është urgjente dhe e nevojshme në kohën tonë, të përmenden me besnikëri si për meshtarët, ashtu edhe për popullin e Zotit, bukuria, rëndësia, domosdoshmëria e shërbimit meshtarak të Kishës për shëlbimin e shpirtërave. Ja pra, pse Papa shpalli një vit, që i kushtohet thellimit e rizbulimit të meshtarisë katolike. Lutja për e me meshtarët nuk mund të mos i bëjë mirë krejt misionit të Kishës, që lidhet me identitetin e me veprimtarinë e klerit. Do të kemi laikë dhe ipeshkvij të mirë, vetëm nëse do të kemi meshtarë të mirë. Ja pse të gjithë janë të përfshirë njëfarësoj. Imazhi i meshtarit që u propozon Papa njerëzve të sotëm gjatë këtij Viti eshte imazhi i përhershëm – e nuk mund të mos jetë kështu! Është ai, që Kisha e doktrina e pastër e kanë propozuar gjithnjë, e që sintetizohet mrekullisht me figurën ungjillore të Bariut të Mirë: ja ky është imazhi. Fatkeqësisht koha jonë, me ndryshime të mëdha ndërmjet Perëndimit të shekullarizuar dhe relativist dhe anëve të tjera të botës, ku sensi i sakralitetit është akoma shumë i fortë, përjeton disa tundime, që prekin edhe shërbimin meshtarak e që, me ndihmën e këtij Viti, është e nevojshme të korregjohen. Po mendoj për shembull, për tundimin e aktivizmit, karakteristikë jo e pak meshtarëve, të cilët megjithëse shumë bujarë, jo rrallë vënë në rrezik thirrjen e tyre, nëse nuk qëndrojnë të lidhur me atë marrëdhënie jetësore me Krishtin që ushqehet me heshtje, me lutje, me leximin e Fjalës së Hyjit, sidomos me kremtimin e devotshëm të meshës së përditshme e me hapësira për adhurimin e Eukaristisë. Do të thosha, duke u bërë dëshmitar i Absolutit, në mes të gjërave që ikin e shkojnë. Kontradikta e vërtetë sot, nuk është më origjinaliteti i sipërfaqshëm, siç ka ndodhur në të kaluarën, që ngjallte një interes të shkurtër e të vogël për faktet. Prandaj, është e kotë të bëhet demagogji e të imitohen sjelljet e gjërat e kësaj bote. Meshtarët do të jenë shenjë kundërshtie vetëm nësë bëhen shenjt e meshtarë të shenjtë. Të shohim Shën Gjon Maria Vianejin, don Boskon, atë Masimilian Kolben, atë Pion nga Pietrelçina e kështu me radhë. Por Viti meshtarak nuk do t’u rezervohet vetëm meshtarëve, por krejt Kisha, në çdo komponente të saj, duhet të rizbulojë madhështinë e dhuratës që Zoti deshi t’i japë me shërbimin meshtarak. Edhe laikët duhet ta kuptojnë se me dhuratën e meshtarisë u lihet atyre freskia e pranisë së Krishtit: jo kujtimi i Krishtit, por prania e tij aktuale. Të mendojmë për zgjidhjen e mëkateve, për kremtimin e Meshës së Shenjtë, për predikimin e kështu me radhë. Ja: në këtë drejtim shkon edhe titulli i zgjedhur nga Ati i Shenjtë për këtë Vit: “Besnikëria e Krishtit, besnikëri e meshtarit”. Nuk është një ngjarje spektakolare, por do të përjetohet si rinovim i brendshëm i identitetit meshtarak.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›