E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja ZGJOHU denoncon ngritjen e bizneseve të paligjshme dhe faturimin e qindra miliona lekëve “Mjaft”-it dhe PS-së

Erjon Veliaj dhe i vëllai i tij, në qendër të akuzave për biznese të paligjshme dhe evazion fiskal prej qindra miliona lekësh

Lëvizja qytetare “Zgjohu” në vazhdën e denoncimit të zhdukjes së 300 mijë eurove të Fondacionit MJAFT, nëpërmjet përfaqësuesit të saj avokat Altin Goxhajn, i përgjigjet pretendimit të përfaqësuesve të Lëvizjes MJAFT se askush përveç donatorëve s’kanë të drejtë të ngrenë padi pasi vetëm pala e dëmtuar e gëzon këtë të drejtë, duke deklaruar se “Çdo kush ka jo thjeshtë të drejtë, por ka detyrim ligjor që kur sheh një shkelje ligjore, të denoncojë”, sqaroi dje Altin Goxhaj, në emër të Lëvizjes “Zgjohu”. 

Përfaqësuesi i lëvizjes “Zgjohu”, Altin Goxhaj, deklaroi se, “nëse hesht bëhesh bashkë faktor në krim, ne do të vazhdojmë të denoncojmë dhënien e kredive nga fondacioni ‘Mjaft’, ndërkohë që në bazë të legjislacionit shqiptar fondacionet mund të japin kredi vetëm kur janë të liçensuar nga Banka e Shqipërisë. Mbi këtë parim, unë në cilësinë e përfaqësuesit të Lëvizjes qytetare ‘Zgjohu’, po denoncoj dhënien e kredive nga Fondacioni MJAFT në mënyrë të paligjshme pasi legjislacioni shqiptar i lejon fondacionet të japin kredi vetëm në rastet kur janë të liçensuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fondacioni MJAFT nuk ka asnjë liçensë për këtë qëllim”, tha Goxhaj. 

Sipas tij, shkelja më e rëndë e ligjit nga vëllezërit Veliaj është kryer nëpërmjet evazionit fiskal prej qindra miliona lekësh të realizuar nëpërmjet dy bizneseve të paligjshme të cilët nuk paguajnë taksa si çdo biznes tjetër në Shqipëri. 

“Dy bizneset e familjes Veliaj prezantohen në raport me klientët nëpërmjet dy emrave ‘Grafik Propaganda’ dhe ‘Fshati Urban’. Këto dy biznese krejtësisht të paligjshme kanë kryer një evazion fiskal në përmasa qindra miliona lekësh nga Erion Veliaj dhe i vëllai i tij Arbër Veliaj. Në vitin 2005, kur Erion Veliaj i dha të vëllait kredi për të themeluar ‘Grafik Propagandën’, fakt i dokumentuar edhe me fotografi, ky biznes nuk u regjistrua në gjykatë megjithëse ishte një kusht i kontratës. Që në atë kohë e deri më sot, pranë zyrës së Tatim Taksave nuk ekziston asnjë pagesë detyrimesh fiskale megjithëse ky biznes prezantohet me dhjetëra klientë VIP. Skema e përfitimit dhe abuzimit fiskal të familjes Veliaj përfshin nga një anë thithjen e parave të projekteve miliardere të Mjaftëve të Velisë dhe nga ana tjetër, realizim të faqeve on-line dhe të shërbimeve të tjera të imazhit dhe aranzhimit për dhjetëra biznese shqiptare dhe të huaja si dhe institucione publike përfshi edhe universitete private”, u shpreh Goxhaj.

Përfaqësuesi i lëvizjes “Zgjohu”, deklaroi më tej se “Grafik Propaganda” është emri i prezantuar nga Veliajt në rolin e realizuesit të dhjetëra faqeve on-line, organizimit të prezantimeve video dhe aspektit të dizajnit dhe prodhimit të posterave dhe  materialeve të tjera promorcionale në vlera qindra miliona lekësh por ka të dhëna që të dyshosh që mund të jetë kapërcyer dhe shifra 1 miliardë lekë”, tha ai.

Sipas Goxhajt, nëpërmjet këtij denoncimi, u dekonstruktua një pjesë e skemës se si paratë e MJAFT kaluan nga projektet e donatorëve ndërkombëtarë te xhepi i Veliajve. Disa nga projektet e MJAFT që donatorët e huaj i sollën për rininë shqiptare dhe u administruan nga biznesi i paligjshëm “Grafik Propaganda” sipas prezantimit origjinal të shkruar nga vetë i vëllai i Erion Velisë, Arbër Veliaj. 


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›