Topalli: 28 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka bërë ndonjëherë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim Përfaqësuesit e komisionin ad-hoc të vëzhguesve paraelektoral të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, kryesuar nga Corien Jonker. Kryetarja e Kuvendit i informoi vëzhguesit e Këshillit të Evropës mbi ecurinë pozitive të procesit zgjedhor.
“Ndihemi shumë mirë që për herë të parë kemi bërë realizuar një infrastrukturë moderne zgjedhore. Për herë të parë votuesit kanë regjistrin elektronik të zgjedhësve. Për herë të parë kodi elektoral është miratuar me konsensus të plotë gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe institucionet zgjedhore janë në funksionim të plotë duke përmbushur çdo detyrim ligjor”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Duke e vlerësuar si një elementët më të rëndësishëm për garantimin e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane, Topalli tha se “për herë të parë zgjedhësit kanë kartat e tyre të identitetit, me elementet më të forta të sigurisë krahasuar me të gjitha vendet e tjera”. Kryetarja e Kuvendit informoi vëzhguesit dhe mbi mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, duke u shprehur se “procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave po ecën shumë normalisht dhe të gjithë votuesit shqiptarë mund të kenë kartat e tyre të identitetit”.
Kryetarja e Kuvendit i siguroi vëzhguesit që së bashku edhe me monitorues të tjerë që do të vijnë për të ndjekur nga afër procesin zgjedhor, do të kenë mundësi që t`i shohin nga afër procesin më të mirë zgjedhor që të zhvillohet më 28 qershor.
Duke sjellë në vëmendje dhe qëndrimet e opozitës lidhur me procesin zgjedhor, Topalli tha se “kryetari i bashkisë së Tiranës, i kapur nga paniku ka vendosur të bëjë çdo përpjekje për t’i ikur zgjedhjeve, por 28 qershori do të jetë dita më e bukur e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka bërë ndonjëherë” tha Kryetarja e Kuvendit.
...