E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekat, taksa rëndon regjistrimin

Reagon Qirjako pas raportit të BB-së: Procedurat i kemi përmirësuar
Taksa që duhet paguar për regjistrimin e pronës në hipotekë konsiderohet e lartë dhe për këtë shkak gjykohet si pengesë në procesin e të bërit biznes në Shqipëri. Pak kohë më parë, Banka Botërore publikoi një raport, ku konstatohej humbja me tetë vende në renditjen botërore të lehtësisë me të cilën një biznes blen dhe regjistron një pronë gjatë vitit 2009. Kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), Arben Qirjako, sqaron për “Shqip” detaje të procesit dhe të dhënat e raportit të BB-së. Qirjako pranon se elementi kryesor që ndikoi në renditjen e raportit është taksa e regjistrimit të pronës, e cila nga 2 për qind, u bë me vendim qeverie në 10 për qind. “Megjithatë, duhet parë me kujdes edhe metodologjia që ndjek Banka Botërore në hartimin e raportit dhe nxjerrjen e rezultateve, pasi një tjetër raport i një tjetër institucioni prestigjioz na rendit pozitivisht”, thotë kreu i ZRPP-së. Sipas të dhënave të raportuara nga programi “Të Bërit Biznes 2010” i Bankës Botërore, Shqipëria është tashmë e 70-a në botë për vështirësitë që u krijon blerësve dhe shitësve të pronave të patundshme, ndërkohë që pati qenë në vend të 62-të në vitin 2008. Ekspertët e fushës gjykojnë si të padrejtë normën e taksimit prej 10 për qind për diferencën e krijuar nga shitja e pronës, pasi vlera reale e tyre ka ndryshuar shumë herë që nga viti 1991. Sipas udhëzimit të lëshuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë, taksa aplikohet për diferencën e krijuar mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes, pra 10 për qind mbi fitimin, kur më parë ishte 2 për qind mbi vlerën e pronës. “Norma e taksës, nga 2 në 10 për qind mund të ketë ndikuar te kostot e individit apo biznesin, por kjo varet nga politika që ndjek qeveria. është Ministria e Financave ajo që përcakton taksën, kurse ne jemi agjentët që arkëtojmë”, sqaron Qirjako, i cili thekson se “procedurat për regjistrimin e pronës nuk kanë ndryshuar, madje po punojmë për t’i bërë më fleksibile”.
Raporti
Në Shqipëri duhet të kryesh 6 procedura që kërkojnë së bashku 42 ditë kohë në rastin më të mirë për të kaluar një pronë nga një pronar te një tjetër. Në vendet e zhvilluara kryhen zakonisht 4.7 procedura dhe shpenzohen mesatarisht 25 ditë. Kostoja e dokumenteve për transferimin e pronësisë u grabit shqiptarëve 3.4 për qind të vlerës së pronës. Reformat në menaxhimin e sistemit të regjistrimit të pronave të patundshme janë zhvilluar gjatë 20 viteve të fundit dhe duket se e kanë shtuar kaosin. Raporti i “të bërit biznes”, merr në analizë shitblerjen e një prone që figuron në regjistrin final, por problemi është se shumica e pronave në Shqipëri janë regjistruar në atë që quhet “regjistri i përkohshëm”, i hapur në vitin 1994. Nga regjistri i përkohshëm jepej një “vërtetim pronësie”, i cili nuk konsiderohet i vlefshëm as për ta dhënë pronën me qira, as për ta shitur e as për ta lënë peng. Që nga viti 2004 ka filluar të funksionojë regjistri i përhershëm, por transferimi i pronave bëhet në mënyrë manuale dhe me kërkesë të vetë pronarit. Procedurat aktuale për këtë punë kërkojnë verifikimin dhe rifreskimin e të gjithë dokumentacionit që ka prodhuar vërtetimin e pronësisë, një procedurë që mund të kërkojë edhe një apo dy vjet kohë, pavarësisht nëse ka apo nuk ka konflikt pronësie.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›