E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franc Ashiku ndërron motet në Zeta

Një ekspozitë e rrallë postum

Një ekspozitë postum mbi krijimtarinë e Franc Ashikut (1925-1998) ka pak ditë që është hapur në galerinë “Zeta”. E kuruar nga artistët Edi Hila dhe Zef Paci publikut i jepet vepra e një intelektuali të spikatur por i lënë në harresë në kohën që jetoi.

Dhe Ashikut i qëlloi të krijojë në dekadat kur arti ishte politik dhe i kontrolluar. Ai lëvroi grafikën, sidomos pllakatin, një gjini që nuk mund të ishte veçse super e kontrolluar. Parë në këtë këndvështrim kuratorët Hila dhe Paci, kanë zgjedhur vepra që tregojnë se si Ashiku “mundi të dalë në situata krijuese antikonformiste, duke servirur një ritëm e formë kompozicionale, jashtë skemave me një zbërthim sintetik të konceptit apo temës së pllakatit.” Jo vetëm kaq, por “krijimtaria e tij pati një ndikim direkt edhe në të tjera aktivitete që bëheshin në atë kohë, si në panaire, në industrinë e tekstilit apo në ekspozita përvjetoresh, ku tregoheshin arritjet dhe fuqia ekonomike e vendit, ku paraqitja e tyre, kuptohet, bëhej në eksponatet e improvizuara të cilat ishin edhe treguesit e kulturës në fushën e desainit grafik të asaj kohe. Në këto raste, ai ka ndërhyre në krijimin e ambienteve të ekspozimit duke bërë efekt të madh tek publiku i asaj kohe, me shijen e hollë dhe shkallën e abstragimit, të elementëve simbolikë, përmes një grafike, për atë kohë, mjaft bashkëkohore dhe të një desaini të interierit, mund të themi, modern.”

Pjesa tjetër e ekspozitës në galerinë Zeta i lihet pikturës së Ashikut. Kuratorët vënë në dukje marrëdhëniet e kësaj pikture me traditën. Sipas tyre reflekton një vazhdimësi të etërve shkodranë të pikturës si Idromeno, Kolombi e

Rrota, në elementët që përcjellin jetë dhe formë Shkodre, nga arkitektura e saj, nga tradita e veshjes, e jetës dhe e gëzimit, e megjithatë piktura e tij ka një dimension bashkëkohor që siç shënon Zef Paci, ajo ishte një vepër që pasurohej “si rezultat i njohjeve të artit perëndimor të kubistëve, futuristëve e abstraksionistëve me arritjet e konstruktivizmit rus (Tatlin, El Lisickij).

Ekspozita personale e Franc Ashikut ku janë paraqitur afro 60 punë, do të jetë e hapur edhe në javët e para të vitit të ri 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›