Kardiologjia ,zgjidhja: Pacientët, shtrim në pavijone të tjera
Rastet e urgjencës në mungesë të shtretërve në shërbimin përkatës, do të trajtohen në pavijonet e tjera të godinës së spitalit të sëmundjeve të brendshme
Urgjencës së Kardiologjisë i jepet zgjidhje e përkohshme. Në urdhrin e lëshuar së fundmi nga drejtoria e QSUT-së thuhet se pacientët që shkojnë në urgjencën e Kardiologjisë, në mungesë të shërbimit, do të trajtohen në pavijonet e tjera të godinës së spitalit të sëmundjeve të brendshme.
Pas mungesave të theksuara dhe mbipopullimit që po vuan gjatë këtyre ditëve ky shërbim, drejtoria ka kërkuar që shërbimi mjekësor këtyre pacientëve t’u bëhet edhe nëpër pavijone të tjera. Ndonëse pacienti mund të vuajë nga zemra, mjekimi do t’i jepet në një nga pavijonet ku ka shtretër të lirë për t’i akomoduar, pavarësisht se nuk e ofron këtë shërbim.
QSUT
Për gjatë gjithë vitit, kjo urgjencë përballet me mbipopullim. Madje në të shumtën e rasteve bluzat e bardha u japin shërbimin mjekësor pacientëve në këmbë apo nëpër korridore. Gjatë këtyre ditëve, situata ka kaluar në krizë. Shkak janë bërë mungesat e theksuara të shtretërve dhe mjekëve.
Vetëm gjatë këtyre ditëve fluksi i pacientëve ka shkuar deri në 100 raste në ditë. Në pamundësi për të përballuar situatën, drejtoria e QSUT-së ka menduar t’i japë zgjidhje të përkohshme. Kështu, është dhënë urdhër që kalimi i pacientëve të shtruar, të cilët qëndrojnë në shërbimin e urgjencës në pavijonet e tjera të QSUT-së, derisa në repartin e Kardiologjisë, të ketë vende bosh. "Në bazë të këtij urdhri, pacientët që do të kalojnë në pavijone të tjera, ku ka vende bosh, do të vizitohen nga mjekët përkatës të Kardiologjisë për të parë ecurinë e sëmundjes dhe do të rikthehen në pavijonin e Kardiologjisë sapo të ketë vende bosh”, - është shprehur zëdhënësi i zyrës së shtypit në QSUT, Alvi Bajramaj.
Mungesat
Temperaturat e ulëta që na kanë shoqëruar këto ditë të dhjetorit, kanë shtuar ndjeshëm numrin e personave të prekur nga çrregullimet kardiake. Kështu, urgjenca e kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, këto ditë ka qenë një ndër shërbimet më të populluara. Në këtë shërbim, ka pasur një fluks të madh të personave që kanë mbërritur për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore, saqë mjekët e urgjencës së Kardiologjisë në QSUT, kanë dhënë alarmin se nuk kanë shtretër ku të vendosin pacientët.
Fluksi i madh i pacientëve i kalon 100 persona në ditë, dhe mjekët janë detyruar t'i ulin të sëmurët në karrige, për të marrë mjekimet. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e numrit të madh të personave, si dhe nga mungesa e vendeve ku të qëndrojnë të shtruar në shërbimin e urgjencës.