Masa për parandalimin e lindjes së fëmijëve me HIV/AIDS
Strategji të reja parandaluese për transmetimin vertikal të infeksionit HIV/AIDS. Gjatë vitit 2008, qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë kanë ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së këtij infeksionit në vend.
Sipas këtij institucioni, është rishikuar Strategjia Kombëtare e HIV/AIDS (2008 – 2014), e cila do të miratohet dhe lançohet së shpejti.
Sipas MSH-së, "Shqipëria mendon të implementojë shumë shpejt masat për parandalimin e transmetimit vertikal të infeksionit, testimin e grave shtatzëna, pasi falë ndërhyrjeve me medikamente, bëhet i mundur parandalimi i transmetimit tek fëmijët".
Të dhënat tregojnë se nga 17, që është numri i fëmijëve të prekur nga infeksioni HIV në Shqipëri, 12 prej tyre janë infektuar nëpërmjet transmetimit nga nëna te fëmija dhe 5 nëpërmjet gjakut.
MSH-ja e sheh hartimin e këtij ligji dhe rishikimin e Strategjisë Kombëtare si fillimin e një procesi, i cili po shoqërohet me masa të tjera shumëplanëshe apo politika të caktuara, që përfshijnë angazhimin e strukturave vendimmarrëse, si dhe të gjitha niveleve shoqërore, qeveritare dhe joqeveritare.
Janë ngritur dhe po fuqizohen më tej Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial, si porta e parë e parandalimit dhe kujdesit, pothuaj në të gjitha prefekturat e vendit. Kjo bën të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për HIV dhe infeksioneve të tjera, që transmetohen me rrugë seksuale, sa më pranë njerëzve.