E Diel, 1 Nëntor 2026

PS hesht për skadimin e afatit

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Natyrisht që ne e kishin vënë një kohë dhe jo rastësisht, por duke ditur mungesën e seriozitetit të kësaj mazhorance për sa u përket reformave, unë besoj se këto dy gjëra nuk mund të bashkëjetojnë. Pra, nga një anë t i bësh presion Prokurorisë dhe të bësh një ligj klandestin, dhe nga krahu tjetër të bashkëpunosh”

Partia Socialiste harron ultimatumin që i kishte vënë mazhorancës rreth një muaj më parë lidhur me hartimin e një projektligji të ri për Prokurorinë. Dje ka skaduar afati 30-ditor i caktuar nga kryesocialisti Edi Rama, por asnjëri prej socialistëve nuk e komentoi këtë fakt. Kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj, e pyetur për këtë afat, tha se kjo pritej duke pasur parasysh mungesën e seriozitetit nga ana e mazhorancës. Por Leskaj nuk dha detaje nëse PS do të vazhdojë ose jo bashkëpunimin me mazhorancën për Reformën në Drejtësi, e cila është konsideruar si prioritet i politikës, por edhe i kritikave të ndërkombëtarëve. PS dhe PD deri tani kanë mundur të gjejnë mirëkuptim vetëm për ligjin e sistemit gjyqësor, i cili u miratua me konsensus pak kohë më parë. Por ndërkohë ka përplasje të forta për ligjet e tjera në kuadër të kësaj reforme si ai për administratën gjyqësore, prokurorinë etj.
Qëndrimi
Leskaj
Në një kohë kur ka skaduar “afati” i vënë nga opozita për mazhorancën, lidhur me ligjin për Prokurorinë, kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist ka pohuar se kjo pritej, sepse nëpërmjet kësaj tregohet hapur mosserioziteti i Qeverisë. “Natyrisht që ne e kishin vënë një kohë dhe jo rastësisht, por duke ditur mungesën e seriozitetit të kësaj mazhorance për sa u përket reformave unë besoj se këto dy gjëra nuk mund të bashkëjetojnë. Pra, nga një anë t i bësh presion Prokurorisë dhe të bësh një ligj klandestin, dhe nga krahu tjetër të bashkëpunosh. Përgjigjja vjen vetë për sa kohë që kjo mazhorancë ka një sjellje të tillë”, - pohoi numri një i socialistëve kuvendorë.
Afati
Qeveria ka vetëm 30 ditë afat për të tërhequr ligjin që sapo është hartuar për Prokurorinë dhe të përgatisë një draft të ri. Ky ultimatum kohor është vendosur nga kreu i selisë rozë, Edi Rama, një muaj më parë. Sipas tij, Qeveria duhet të harrojë njëherë e mirë projektin famëkeq qeveritar të ligjit për Prokurorinë duke miratuar në Kuvend një ligj të ri për organin e akuzës që të ketë konsensusin e plotë të vetë Prokurorisë e të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë. “Sali Berisha duhet të dëgjojë e të shohë se përtej luftës së tij për pushtet e për interesa që s kanë të bëjnë me interesat e Shqipërisë, por vetëm me interesat e një grushti pushtetarësh apo klientësh të pushtetit, janë qytetarët e këtij vendi, pa dallim moshe, gjinie, shtrese e përkatësish politike apo krahinore, që nuk pranojnë të dhunohen, mashtrohen, fyhen, nëpërkëmben e kërcënohen nga një kryeministër që sot, gjashtë muaj pas masakrës së Gërdecit, është i dyshuari i madh i shqiptarëve e shqiptareve”, - ka thënë ai. Deklarata e Ramës është bërë më 15 shtator, plot gjashtë muaj nga tragjedia e Gërdecit. Pas këtij ultimatumi të Ramës, ka reaguar mazhoranca. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka deklaruar se mazhoranca nuk prnaon ultimatume. “Unë kam mbetur i befasuar nga deklaratat e Ramës, pasi është një mënyrë ultimative e cila është shumë arkaike dhe kujton kohët më të shëmtuara të politikës së vjetër ndërkohë që vetë Rama pretendon se është përfaqësues i një politike të re. Pra ultimatumi në të gjitha rastet është kundërproduktiv”, - ka thënë Patozi. Reagimet e politikës janë bërë në një kohë kur ende nuk ishte dorëzuar në Kuvend një draft konkret për sa i përket rregullimit ligjor të funksionimit të Prokurorisë.

Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›