Shirley Temple: Superylli i vogël që u shkatërrua nga Hollivudi
Në vendin ku jeton, në Uoodsid, në veri të Kalifornisë, njerëzit e njohin si zonja Black. Këtë javë gjyshja vejushë do të festojë ditëlindjen e saj me nipat e mbesat e shumta. Nga mbiemri, askush nuk mund të thotë gjë për zonjën e moçme, e cila ka vite që mban një profil shumë të ulët. Që kur i vdiq i shoqi, tri vjet më parë, të cilin ajo nuk ngurron ta cilësojë "dashuria e jetës sime", zonja është tërhequr në një qetësi të thellë. Daljet në publik i ka të rralla, por kur ndodhin, njerëzit nuk mund të rrinë pa e kthyer kokën pas dhe pa shprehur një hapi e kureshtje njëherazi. Sytë e saj përcjellin ende një shkëlqim të rrallë dhe gropëzat në faqe janë të pangatërrueshme. Dikur ka qenë një nga njerëzit më të famshëm të kinemasë, nga ata yjet që shndrisin fuqishëm për t‘u parë e adhuruar nga të gjithë. Megjithëse ka 60 vjet që nuk ka dalë në asnjë lloj filmi, vazhdon të njihet nga të gjithë. Zonja Black është e famshmja fëmijë-yll Shirley Temple, fëmija magjik që u shndërrua në idhull dhe ish-ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë javë ajo mbush plot 80 vjeç. Fama që fitohet nga filmat vjen dhe zhduket shumë shpejt. Nëse je nën dritën e prozhektorëve të njohin të gjithë, por nëse vendos të tërhiqesh në hije, harrohesh. Gjëja më e çuditshme dhe e bukur për Shirley-n është se, pavarësisht se ka vite jashtë kamerave, të gjithë e njohin në botë, madje edhe ata që nuk kishin lindur, kur filmat në të cilët interpretonte ajo bënin para të madhe. Dhe jo vetëm kaq. Historia se si vajza engjëllore me flokët kaçurrela mundi që të shpëtojë nga falimentimi një studio filmike është thuajse e ngjashme me atë të Harry Poterit. Saga e fëmijës-magjike nis në një resort të Kalifornisë, më 1 maj të vitit 1928, kur Shirley erdhi në jetë. Ishte fëmija i tretë i familjes Temple. I ati ishte menaxher banke, ndërsa e ëma kishte qenë balerinë, por e pasuksesshme. Si shumë nëna të tjera të asaj periudhe, të gjitha ambiciet e veta u përpoq që t‘i shihte të realizuara tek e bija. Në moshën 3-vjeçare, Shirley u regjistrua në një shkollë kërcimi në Hollivud, ku u pikas për talentin e saj dhe për pamjen e jashtme shumë tërheqëse e çapkëne. I pari regjisor që e vuri re, vendosi që të përdorte imazhin e bukuroshes me kaçurrela për një reklamë të shkurtër, më pas për një serial filmash me metrazh të shkurtër me tematikë edukative. Sipas përshkrimit të mëvonshëm të Shirley-t, puna në studiot televizive ishte me orë të zgjatura dhe ajo ndodhej shpesh shumë e lodhur dhe e frustruar në maksimum. "Më dukej vetja si një vegël që më përdornin vetëm për pamjen time të jashtme, por pa më pyetur se si ndihesha, a më hahej, a më flihej, a do të doja të pushoja", rrëfen më vonë aktorja. Për çdo ditë pune, atë e paguanin 10 dollarë, çka për kohën ishte një shumë jo e vogël. Nëse ajo do të sillej jo siç duhej, edhe mund ta dënonin. Dënimi ishte një kuti e zezë e madhe, ku ajo, apo edhe fëmijë të tjerë, që punonin për reklamat, apo filmat me metrazh të shkurtër, mbylleshin për pak kohë. Qëllimi ishte që të reflektonin e të përqendroheshin, duke mos i përsëritur më gabimet. Kur filmat edukativë dështuan si përpjekje, atëherë i ati i Shirley-t ia bleu kontratën me firmën për 25 dollarë. Por falimentimi i një kontrate solli një tjetër më fitimprurëse. Në moshën 5-vjeçare një kantautor i famshëm amerikan i kohës, Jay Gorney, e ftoi Shirley-n për një audicion në "Fox Film Corporation" për ta provuar për një film të ri. Titulli i filmit ishte "Ngrihu në këmbë dhe buzëqesh". Në prova, Shirley sipas porosisë të së ëmës, shkëlqeu dhe i bëri të gjithë të pranishmit për vete. Kjo bëri që të fitonte një kontratë prej 150 dollarësh në javë me një kohëzgjatje prej 7 vitesh. Familja sigurisht që e pranoi një ofertë të tillë që do ta shndërronte vajzën e tyre të vogël në një yll të madh. Pas filmit të parë filluan të tjerë njëri pas tjetrit. Të gjithë të suksesshëm dhe të pëlqyeshëm nga publiku. E ndërsa vajza po bëhej gjithnjë e më e famshme, i erdhi një ofertë shumë më e lartë nga një studio tjetër filmike "Paramount", e cila për një javë i ofronte bukuroshes 1000 dollarë. Aktorët e tjerë të rritur me të cilët Shirley luante rrëfenin se ajo ishte mbretëresha e padiskutueshme e filmave. Ishte e bukur, lozonjare dhe shumë e zonja për të bërë për vete njerëzit që linin kokën pas saj. Pas një viti pune të pandërprerë, të gjithë ishin të bindur se tashmë kishte lindur një yll mes tyre dhe studioja filmike i përgatiti Shirley-t një kontratë prej 100 mijë dollarësh për ta mbajtur të lidhur për vete. Për kohën një shumë e tillë ishte e paimagjinueshme edhe për aktorët më të famshëm. Vajza me kaçurrela u bë fytyra më e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të pasuruar tashmë nga e bija, prindërit vendosën që të ndryshonin banesë dhe morën një vilë të bukur e të madhe. Për t‘u marrë me punët e shtëpisë u punësua një ushtri e tërë me pastruese e kuzhiniere. Fëmijës-yll, përveçse të luante filma, i duhej tani që t‘u përgjigjej edhe letrave të shumta që i vinin çdo ditë nga të gjitha anët e vendit. Së bashku me filmat u shtua dhe u rrit edhe biznesi në bankën e babait të Shirley-t. Nëna zinin radhë për të takuar babain e fëmijës më të bukur e më të famshëm të Hollivudit. Një nga zonjat madje ishte gati t‘i ofronte babait të Shirley-t një shumë të majme që ky t‘i falte një fëmijë të bukur e të mrekullueshme si e bija. Fama e saj me filmin "Vogëlushe preke ylberin" u bë aq e madhe saqë edhe vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusvelt deklaroi: "Për sa kohë të kemi në vendin tonë një Shirley Temple nuk do të na gjejë asgjë e keqe". Në Britaninë e Madhe, dy princeshat e reja, Elisabeta dhe Margaret, ishin tifoze të zjarrta të Shirley-t. Temple luajti në tetë filma në vitin 1934, mes të cilëve edhe "Sytë e shndritshëm", që e çuan në kulmin e famës. Në fund të vitit ajo kishte hyrë në listën e dhjetë yjeve që bënin më shumë para në botën e biznesit të kinemasë. Vitin e ardhshëm ajo shkoi në krye të kësaj liste dhe për katër vitet në vijim ishte ylli i vetëm që kryesoi pasanikët e kinemasë, duke lënë madje edhe të madhin Clark Gable në vendin e dytë. Me famën e Shirley-t u fuqizua edhe shtëpia filmike "Fox", e cila më parë ndodhej në prag të një falimentimi të turpshëm. Fatin e saj e shpëtoi një fëmijë 6-vjeçar, që nuk e dinte se sa para kishte në llogari. Me rritjen e famës së Shirley-t u rrit edhe oreksi i prindërve të saj për më shumë para. Ata i hynë betejave të mëdha ligjore për prishje e ndreqje kontratash, të cilat u bënë të zakonshme përgjatë gjithë periudhës që Temple luajti në kinema. Fitimet e drejtpërdrejta dhe bonuset që familja merrte për çdo film të së bijës ishin jashtëzakonisht të mëdha. Por jo e gjithë bota u marros pas kësaj fëmije të rrallë, me faqet me quka e sytë e shndritshëm. Romancieri Graham Greene i cilësonte filmat në të cilët luante vajza si shumë komercialë dhe pa një vlerë të mirëfilltë artistike apo edukative. Madje ai shkoi edhe më tej duke e cilësuar Temple "një xhuxh 50-vjeçare", që joshte me trupin e saj të vogël e të formuar meshkujt të moshave të ndryshme. Pas këtyre deklaratave, shtëpia filmike e hodhi në gjyq nobelistin, i cili u detyrua që t‘i paguante Shirley-t një shumë të madhe në të holla për ta dëmshpërblyer. Ylli i shndritshëm i Templet shkëlqeu për 4 vjet rresht pa ndërprerje, deri në vitin 1939. Më në fund, në këtë vit, nisi tatëpjeta. Filmi që shënoi fillimin e fundit ishte " Magjistari Oz". Pas këtij paralajmërimi rënieje, erdhi rënia e vërtetë me filmat që pasuan. Në rënie e sipër ajo u largua nga studioja që i kishte shpëtuar ekzistencën dhe lidhi kontratë me një tjetër studio MGM, por ylli i saj tashmë kishte perënduar. Të gjitha filmat e prodhuar deri në vitin 1942 ishin një fiasko e vërtetë. Në vitin 1945, në moshën 17-vjeçare, ajo u martua me John Agar, një ushtarak i forcave ajrore, i cili u bë më pas aktor. Vajza e tyre Linda lindi në vitin 1948, por sa i takon martesës, ajo përfundoi keq pas tradhtive të vazhdueshme të të shoqit dhe pijanecërisë së tij. Ndërkohë Temple nuk kishte hequr dorë plotësisht nga karriera si aktore dhe vazhdonte të merrte pjesë nëpër filma. Ajo në këto vite luajti me aktorë të famshëm si Cary Grant, Henry Fonda. Por edhe këto filma nuk mundën që t‘ia rikthenin shkëlqimin dhe famën e dikurshme. Gjyqi i divorcit nga bashkëshorti dhe të gjitha detajet e rënda që dolën në seancat e tij, i hoqën edhe shkëlqimin e fundit yllit Temple. Ajo u ankua që i shoqi i sillte gra të tjera në shtëpi gjatë kohës kur ajo ishte shtatzënë dhe si të mos mjaftonte kjo, ai edhe i kishte vënë dorë. Gjatë pushimeve pas divorcit që bëri në Honolulu në vitin 1950, ajo u dashurua dhe u martua me një biznesmen nga Kalifornia, që ishte 9 vjet më i madh se ajo. Ai iu betua që në fillim se nuk kishte parë kurrë asnjë film të sajin. Ata u martuan në dhjetor të atij viti dhe menjëherë erdhi në jetë një djalë e një vajzë. Në vitin 1958 Shirley tentoi që të kthehej edhe njëherë në qendër të vëmendjes me një dalje në televizion në një serial televiziv. Më pas ajo frekuentoi edhe teatrin. Duke parë që karriera kinematografike dhe teatrore nuk mund të shkonin më në nivelet e dikurshme, Shirley tentoi edhe politikën. Ajo doli në mbështetje të një platforme që ishte pro përfshirjes së Amerikës në luftën e Vietnamit. Synimi ishte që të fitonte një vend në Kongresin Amerikan. Por edhe këtu dështoi. Në vitin 1969, Presidenti Riçard Nixon e emëroi atë si përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara. Në vitin, 1972 ajo zbuloi një kokërr në gjirin e saj të majtë, e cila doli se ishte kancer malinj. Për këtë i duhej që të hiqte gjoksin e prekur. Në këto çaste të vështira të jetës vendosi që ta bënte publike sëmundjen e saj, duke u shndërruar ndër femrat e para që pranoi se kishte kancer gjiri dhe se kishte hequr njërin gji për shkak të sëmundjes. Dy vjet më pas, ajo u emërua ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Gana dhe në vitin 1976 u bë shefja e parë femër e Protokollit në Shtëpinë e Bardhë. Një dhjetëvjeçar më pas iu dhurua "Oskari" i karrierës, të cilin ajo ia dedikoi së ëmës, tashmë të vdekur. Për Shirley-n, humbja më e madhe që pati në jetë ishte ajo e të shoqit, në vitin 2005, në moshën 86-vjeçare pas 55 vitesh martesë. Për aktoren dhe gruan e famshme ai ishte dashuria e jetës dhe njeriu më i mirë që kishte njohur ndonjëherë. Në vitin 2006, mori edhe një çmim tjetër të rëndësishëm për karrierën e saj dhe për një jetë jashtëzakonisht të veçantë. Nga një fëmijë i famshëm në të gjithë botën që i dedikoi vitet e fëmijërisë kinemasë, ajo diti që të shndërrohej në një nëpunëse shembullore që dha ndihmesë për vendin për një periudhë 30-vjeçare. Kjo nuk është aspak e tepruar. E veçanta e kësaj vajze e më pas gruaje ishte se ndryshe nga shoqet e saj të suksesshme në kinematografi, ajo nuk e shkatërroi veten me alkool, drogë dhe seks, por qëndroi e palëkundur në moralin e saj dhe mbeti një legjendë e papërlyer e periudhës së fillimit të kinematografisë amerikane. Ajo ishte dhe mbetet një ikonë, një shembull se gjërat në botën e kinemasë mund të përfundojnë edhe pozitivisht, ndryshe nga klisheja me të cilën jemi mësuar sidomos këto vitet e fundit.