Monstra e Amstetenit. Dyshohet edhe për vrasje
Policia në Austri po ekzaminon lidhjet mes vrasjes së një gruaje të re dhe njeriut që ka pohuar se ka mbajtur të mbyllur për 24 vjet të bijën, në qilar, dhe është baba i shtatë fëmijëve të lindur prej saj. Trupi i Martina Posch ishte zbuluar 22 vjet më parë në afërsi të një liqeni ku Josef Fritzl zotëronte një pronë. Martina, që asokohe ishte 17 vjeçe, ishte zhdukur 10 ditë më parë. Trupi i saj i pajetë ishte gjetur në bregun e liqenit Mondsee, në afërsi të Salsburgut dhe besohej se ajo ishte përdhunuar. Alois Lissl, shef i policisë në provincën e Austrisë së sipërme, thotë se pavarësisht se deri më tani nuk janë siguruar ende prova, policia ka zgjeruar hetimet e saj duke përfshirë edhe rastin e pazbardhur të vrasjes së ndodhur 22 vjet më parë dhe mendohet se Fritzl mund të ketë qenë pikërisht në atë vend në kohën e vrasjes. "Deri më tani nuk ka prova të një lidhjeje konkrete", tha Lissl, por ai shtoi se Fritzlit do t‘i kërkohej një alibi. Ndërkohë, personeli i spitalit në Austrinë e Poshtme po përpiqet të shpëtojë jetën e vajzës 19-vjeçare të Elisabetës, Kerstin, pranimi urgjent në spital i së cilës çoi në zbulimin e monstruozitetit që ka tmerruar opinionin publik. Gjendja e saj është kritike, por e stabilizuar. Ajo është më e madhja mes shtatë fëmijëve të incestit. Kerstin, që është në koma, po i nënshtrohet dializës për shkak të pasojave të mungesës së oksigjenit. Ajo ishte dërguar në spital pa ndjenja dhe më pas kishte rënë në koma. Fati i familjes së saj doli në dritë pasi mjekët, të intriguar nga gjendja e saj, apeluan që e ëma të paraqitej sepse kishin nevojë urgjente për të njohur historinë e saj mjekësore. Autoritetet kishin pak informacion për Fritzlin 73-vjeçar, që ka pohuar tashmë se e kishte mbyllur Elisabetën në qilar që kur ajo ishte 18 vjeçe dhe e kishte përdhunuar vazhdimisht atë. Ai ka pranuar gjithashtu se ka djegur trupin e një prej fëmijëve të saj, që kishte vdekur menjëherë pas lindjes. Leopold Etz, shef i krimeve në provincën e Austrisë së Poshtme, thotë se autoritetet besojnë se Fritzl ka vepruar i vetëm. Testet e ADN-së, sipas tij, kanë konfirmuar se asnjë person tjetër nuk ka hyrë në qilar përveç tij. Gjithsesi, e përditshmja austriake "Bildt", shkruan në faqen e saj të internetit se ka mundësi që një tjetër person i familjes ishte në dijeni të jetës së dyfishtë të Jozefit dhe të ekzistencës së një "familjeje" në qilar. Sipas "Bildt", hetuesit nuk e bëjnë të ditur identitetin e këtij personi, i njëjti që duket se ka folur në polici në momentin e vizitës së Jozefit me të bijën e sëmurë në spital. Por, mendohet se ai mund të jetë një nga vëllezërit e Elisabetës. I njëjti lajm shfaqet edhe në faqet e të përjavshmes gjermane, "Der Spiegel", sipas së cilës autoritetet austriake nuk duan për momentin të bëjnë komente. Përveç Elisabetës, Jozef Fritzl kishte edhe gjashtë fëmijë të tjerë, dy djem dhe katër vajza. Gjithsesi, në këtë pikë, një nga objektivat kryesore të hetuesve austriakë është të kuptojnë nëse Fritzl ka vepruar i vetëm apo është ndihmuar nga një tjetër person për të mbuluar sekretin e tij.