E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu i Patricia Nugee

Për më shumë se 35 vjet, britanikja Patricia Nugee koleksionon çdo libër që ka të bëjë me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dje, nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe fondacionit "Patricia Nugee", ajo prezantoi në një ekspozitë këtë koleksion të rrallë veprash në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. E pranishme në këtë aktivitet ishte zonja Patricia Nugee, akademikja britanike Vivien Noakes, profesori i shquar Zef Simoni, deputetë, personalitete dhe studiues të fushës së kulturës e të artit, e të tjerë.
"Dua të theksoj se të njohësh historinë e vendit tënd dhe heronjtë e tu është detyrë parësore dhe kësaj i shërben edhe kjo ekspozitë me koleksionin më të mirë në botë mbi veprën e Skënderbeut. Dua të theksoj se ky koleksion i vyer që ne të gjithë kemi këtu vjen sërish në Tiranë, pas suksesit të ekspozimit në Universitetin e Kembrixhit, në BBC Londër, në Shkup, Prishtinë, Ulqin, Kalabri etj. Besoj se këtë herë publiku shqiptar do të ketë rastin për të vëzhguar nga afër, në hollin e kryesisë së Parlamentit, këta libra të rrallë", tha Kryeparlamentarja Topalli. Vetë Nugee e konsideroi si shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë hapjen e kësaj ekspozite mbi heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. "Është shumë e rëndësishme për mua që shqiptarët sot të shohin se sa e vyer dhe e rëndësishme është vepra e heroit tuaj, Skënderbeut dhe, ju lutem, shikojeni këtë me dashuri", tha zonja Nugee. Prof. Zef Simoni u shpreh se veprat e paraqitura mbi Skënderbeun janë pjesë e një koleksioni që është rezultat i një pune që tregon kulturë dhe dashamirësi për vendin tonë. "Jemi këtu për të paraqitur ekspozitën e librave të mbledhur nga një angleze që e do Shqipërinë dhe shqiptarët. Ekspozita përmban libra me një tematikë të caktuar që kanë të bëjnë kryesisht me historinë e Skënderbeut. Në koleksionin e saj Nugee ka shumë libra interesantë nga autorë të ndryshëm, sidomos anglezë, që tregojnë për udhëtimet e tyre në Shqipëri dhe për jetën e zakonet e shqiptarëve gjatë 2-3 shekujve të fundit. Këta libra janë mbledhur nëpër librari, një punë që tregon një kulturë të madhe dhe dashamirësi të thellë për vendin tonë dhe figurën më të rëndësishme të historisë", tha Simoni. Kjo ekspozitë është paraqitur me sukses në shumë vendeve edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në shumë vende të tjera. Patricia Nugee është prej disa dhjetëra vitesh sekretare e Shoqatës së Miqësisë Angli-Shqipëri. Shtëpia e saj është qendër e shqiptarëve të njohur në emigrim si Arshi Pipa, Isa Toptani, Vera Blloshmi, Dervish Duma, etj. Pas viteve ‘90, Nugee e ka hapur shtëpinë e saj edhe për dhjetëra shqiptarë të tjerë. Ajo është "Qytetare Nderi" e Kosovës.
Publiku shqiptar do të ketë rastin për t‘i vëzhguar nga afër librat e rrallë në hollin e Kryesisë së Parlamentit. Këtu publiku do të ketë mundësi të shohë nga afër veprën e Marin Barletit në disa gjuhë evropiane, si dhe veprat e Lavardin, Jean de Bussières, Giulio Roscio, Jean Nicolas Duponcet, si dhe fjalorin origjinal të Frang Bardhit etj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›