E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi në minierën e Bulqizës, ende mister shkaqet

 

BULQIZE – Tritoli në minierën e Bulqizës është ende pa autorë. Dje paradite, ekspertë të Policisë Kriminale në Dibër e Bulqizë kanë mbërritur në galerinë private, pronë e shtetasit Edmond Isaku dhe kanë kryer procedurat hetimore. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se galeria e minierës është bllokuar me inerte të shumta, ndërkaq oficerët e Policisë Gjyqësore po hetojnë në dy pista. “Po hetohet në mundësinë e vendosjes së një sasie eksplozivi në hyrje të galerisë nga rivalët e Isakut, ndërkohë thuhet se ekspertët kanë grumbulluar informacionin e nevojshëm se dera e galerisë nr.12 në zonën “D” mund të jetë bllokuar me dashje me inerte nga mjete të tonazhit të lartë. As tritoli dhe as mjeti nuk kanë lënë gjurmë në vendin e ngjarjes për të përcaktuar qartë kush e shkaktoi dëmin material”, thanë burime jo zyrtare. Deri mbrëmë, Policia e Qarkut të Dibrës nuk ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me detajet mbi hetimin e ngjarjes dhe autorët e dyshuar. Pronari i minierës ka udhëtuar dje nga Bulqiza në drejtim të kryeqytetit për të kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe të Ekonomisë për të kërkuar zbardhjen e të vërtetës dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë.                                              h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›