E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabandistët e drurit shkatërrojnë pyjet e Lurës

 

PESHKOPI - Lura, një nga zonat më turistike në vend, është rrënuar totalisht. Banorë të fshatrave të kësaj zone, por edhe të ardhur nga Mati e Mirdita prej vitesh kanë qenë protagonistë të prerjeve të paligjshme në masivet e begata të Lurës, drurëve gjithfarëllojesh që zbukuronin liqenet mahnitës së kësaj perle të Shqipërisë. Dëmtimi i pishave, aheve dhe drurëve të tjerë ka vijuar me intensitet të lartë edhe kohët e fundit. Aktualisht, për Lurën nuk ka nga autoritetet e turizmit një guidë për ta prezantuar atë siç është në të vërtetë. Autoritetet e policisë, shërbimit pyjor dhe komunës Lurë deri tani nuk kanë ndalur shkatërrimin në masë të njërit prej parqeve më të bukura në vend e më gjerë, duke i shkaktuar dëme serioze jo vetëm zonës, por dhe vendit tonë. “Këtu është bërë kërdia”, thonë banorët e Lurës. Sipas tyre, është e pamundur të takosh një specialist të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Dibër apo të komunës Lurë, të cilët e kanë për detyrë të ruajnë pyjet e kësaj zone të veçantë. Persona të papërgjegjshëm presin pa pushim lëndë drusore, të tjerë transportojnë, por ka edhe të tjerë që luajnë rolin e sekserit. “Kush ishte më i forti ka pushtuar parcela të mëdha me pyje dhe tani ua shet drurët të tjerëve”, akuzojnë banorët fenomenin shkatërrues.                             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›