Vrasja në Lezhë, një i liruar
Lezhe / Roland Nikolli
I arrestuar menjëherë pas vrasjes së 19-vjeçarit Angjelin Ndocaj në Kalivaç të Lezhës, Martin Çuni e ka mohuar autorësinë. Ndonëse 4 herë është marrë në pyetje nga grupi hetimor, 42-vjeçari është shprehur se nuk ka gisht në krim. Policia ka mbajtur nën izolim Çunin, po ka lënë të lirë djalin e tij adoleshent, i cili u kap me të atin mbrëmjen e së shtunës. Krimi ndaj Ndocajt ndodhi në derën e shtëpisë së viktimës, kur mbi të u derdhën 3 plumba pistolete. Menjëherë pas vrasjes u ndaluan Martin e N.Çuni, pasi sipas policisë, dyshohet e ata janë autorët, nisur nga një konflikt që kishin pasur për konkurrencën në transportin e furgonë të udhëtarëve në linjën Kalivaç-Lezhë. Nga ana e saj, policia e Lezhës bën të ditur se ka mbledhur të dhënat e saj operative si dhe ka dërguar armën e bllokuar Çunit për ekspertizë në laboratorin kriminalistik. Ajo është prova kyçe për të vërtetuar nëse gëzhojat e pistoletës të gjetur në vendin e ngjarjes janë të qëlluara nga arma që iu kap Martin Çunit apo jo. Ndërkohë që dje, Angjelin Ndocaj është përcjellë në banesën e fundit nga të afërmit e tij në fshatin Kalivaç të Lezhës. Mësohet nga burime të zonës se familja e Martin Çunit, e cila jeton në fshatin ngjitur, Kashnjet të Lezhës, është izoluar gjatë ditës, deri në momentin kur policia të zbardhë saktësisht ngjarjen. Po kështu, sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, banesa e Çunit është mbajtur nën vëzhgimin e forcave të saj, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes familjeve. Deri tani, 42-vjeçari është i dyshuari kryesor për krimin, por pritet që ditët në vazhdim të nxjerrin saktësisht e shkencërisht nëse ai është vrasësi i 19-vjeçarit Ndocaj. Mësohet se, ndonëse Çuni vazhdon të mos e pranojë akuzën, janë dëshmitë e marra nga banorët e zonës, si të dhënat operative dhe mbledhja e provave shkencore me mjete speciale, që kanë hedhur dyshime të forta te policia se i arrestuari është autori i krimit.
Angjelin Ndocaj u qëllua sapo doli nga dera e shtëpisë së tij. Të dhënat operative të policisë bëjnë të ditur se ai është vrarë për arsye se i kishte marrë klientelën Martin Çunit, pasi të dy kryenin me furgon transport udhëtarësh nga Kalivaçi për në Lezhë.