Drejt euros, në sajë të virtyteve të saj
(Arkitektura financiare evropiane-pengesë fatale për vendet e vogla që ruajnë monedhat e tyre).
Volkeri (Paul Volcker), këshilltar aktual i Presidentit Obama dhe ish-shef i Rezervës Federale, i ka krahasuar tregjet globale të kapitalit me një det të hapur, për të cilin, të shpëtuarit prej stuhive të mëdha të rastit është një gjë praktikisht e pamundshme. Sipas tij, kur deti është i trazuar, gjëja më e sigurt është të ndodhesh apo të lundrosh në një anije shumë të madhe. Pra, ndryshe e thënë, preferohet një vapor gjigant që lundron i qetë nëpër një det tepër të dallgëzuar, bile dhe kur ky i fundit do ta kapërdinte me lehtësi një anije të vogël të fuqishme!
Kjo është dhe këshilla e Volkerit në kushte krize, sidomos për ekonomi të vogla (si ajo shqiptare), që pretendojnë apo besojnë më shumë se duhet mbi politikat e tyre të “pavarura” monetare e fiskale...
Për të kujtuar apo mprehur “vigjilencën” e institucioneve financiare-monetare shqiptare, po sjellim disa shembuj, për të cilët vlen “paralelizmi figurativ” i Volkerit. Pas thyerjeve serioze në tregjet e parasë, që praktikisht e shkatërruan kronën islandeze, apo e nënçmuan zllotin polonez, të dy këto vende kanë ndryshuar tashmë qëndrimin e tyre mbi adoptimin e euros. Edhe Danimarka, që shfaq një tablo të përsosur të menaxhimit ekonomik, madje një ekonomi mjaft të shëndetshme sipas të gjitha standardeve makroekonomike, po tundohet tashmë nga përdorimi i euros (ndryshe nga refuzimi i saj në të kaluarën). Po ashtu, Danimarka ka qenë e detyruar të mbante norma të larta interesi për të mbrojtur monedhën e saj (kronën) ndaj sulmeve të ndryshme spekulative. Efekti i këtyre normave të larta po provokon aktualisht valë të trazuara nëpër ekonominë daneze, duke kontribuar në “ndryshimin e lartësisë së ujit të detit”...
Thjesht këto shembuj dëshmojnë, në kohë të vështira, në favor të një opsioni të përbashkët ndaj atij të veçuar. Ky është, p.sh., adoptimi i monedhës së përbashkët evropiane. Aq më tepër që vendimi politik i vitit 2004 mbi kontrollin e deficitit buxhetor dhe të inflacionit - të dy kriteret kritike për adoptimin e euros - shfaqet tashmë në kushte krize shumë më i butë, shumë më i “shkrirë”; bile ndryshe nga kualifikimi i rreptë ndaj katër vendeve të vogla pretenduese, si Sllovenia, Qiproja, Malta e Sllovakia. Në fakt, kriza financiare e ka ndryshuar lojën brenda pak muajve.
Kostot e reja të përdorimit të monedhave të veçanta në Islandë, Poloni apo Danimarkë, kanë detyruar një riorientim të këtyre vendeve drejt euros. Bile, një dinamikë e tillë drejt euros dhe investimeve në euro ka prekur mjaft monedha të tjera. Kjo lidhet dhe me “fluturimin për nga kualiteti”, pra dhe zhvendosjen e shpejtë të parasë prej aseteve me rrezik të lartë drejt atyre më të sigurta. Tregjet e parasë janë bërë, kështu, më të diskriminuara. Dhe vetë monedha evropiane, sot për sot, është bërë një “parajsë” e vërtetë ndaj stuhisë së fundit financiare...
Një problem më vete rezulton dhe ai i likuiditetit ndaj aftësisë paguese. Bile, në këtë kuptim, në një nivel bazë, kriza financiare është dhe një krizë e aftësisë paguese. Kapitali në sistem duket i pamjaftueshëm kur matet ndaj një rreziku aktual e akut, por jo ndaj atij kohëgjatë dhe në situatë normale. Manifestim i tij është mungesa e fondeve apo e likuiditetit të tregut, që në një krizë të pastër likuiditeti kthehet në një krizë të aftësisë paguese. Parë me këtë sy, arkitektura financiare evropiane bëhet një pengesë fatale për vende të vogla, që vazhdojnë të ruajnë monedhat e tyre...
Pasi kriza ekonomike që kapi Hungarinë, u shtri dhe tek fqinji i saj Polonia, zlloti polak u zhvlerësua në tetor përkundrejt euros. Fillimisht, partia e djathtë nacionaliste e Presidentit Kaczinski kërkonte mbajtjen e një referendumi mbi euron, duke besuar dështimin e tij, kurse sot situata është krejt ndryshe. Zhvlerësimi i zllotit kërcënoi një pjesë të mbështetësve të kësaj partie që kishin marrë kredi në euro. Pra, në kushte të një zlloti të dobësuar shumë, Kaczinski ra dakord për planëzimin e adoptimit të euros më 2012-n, duke hedhur poshtë me qetësi kërkesat e mëparshme për plebishit. Pas kësaj, Polonia arriti një marrëveshje me BQE-në, për të stabilizuar zllotin polak. Lituania, Letonia dhe Estonia, që u anëtarësuan po ashtu më 2004-n, nuk kishin nevojë të bindeshin për euron, por që nga anëtarësimi janë përpjekur që të plotësojnë kushtet e përfshirjes në hapësirën euro. Edhe Hungaria, me asistencën e BQE-së, e ka orientuar kursin e saj drejt euros. Po kështu, Suedia që, më 2003-shin nuk pranoi t’i bashkohej hapësirës euro, tani po përjeton një ndjesi të qartë publike në favor të monedhës evropiane.
E njëjta gjë mund të thuhet për Islandën, sidomos me zhytjen e vlerës (prej afro 80%) së kronës ndaj euros apo me falimentimin e sistemit të saj bankar. Madje, me krizën e saj të parasë, politika monetare islandeze nuk ka asnjë rezultat! Ky vend, vite më parë, e ka refuzuar anëtarësinë në BE, nisur nga trysnia evropiane në kuadër të politikës së peshkimit dhe kontrollit të burimeve natyrore vitale. Për vite të tëra kaq ka qenë e mjaftueshme, por sot përjetimi i një krize të thellë bankare dhe një recension i dhimbshëm, ka bindur mbi 70% të islandezëve për të mbështetur anëtarësimin e vendit në BE dhe abandonin e kronës në favor të euros, që në ditët e sotme.
Danimarka mund të rezultojë si një test acid për euron, pas refuzimit të saj në dy referendume të mëparshme (ai i fundit në vitin 2000). Kryeministri Rasmussen e ka shfrytëzuar situatën aktuale për të shpallur planin e një referendumi të tretë aty nga viti 2011. Ky orientim i ri pritet të favorizojë kreditimin e ekonomisë, në sajë dhe të zvogëlimit të normave të interesit. Aq më tepër që Rezerva Federale i ka reduktuar normat e interesit midis 0% e 0.25%, ndërsa Banka e Japonisë i ka reduktuar normat e interesit në 0.1%. Një hap radikal ka ndjekur dhe Banka e Anglisë. Një reduktim i konsiderueshëm është shpallur dhe nga BQE-ja. Megjithatë, gjykohet se përpjekja fillestare për kontrollin e inflacionit po duket tashmë e panevojshme me zbritjen e çmimeve të naftës nga vlera prej afro 150 dollarë, në 40-50 dollarë për fuçi. Pra, ka shumë mundësi që inflacioni të priret që të “avullojë” gjatë muajve pasues.
Për shumë vende në zhvillim, kriza amerikane e kreditit nënkupton dhe një rritje më të ngadalshme e zgjerim të pabarazisë. Por, efektet normalisht do të shtrihen në kohë dhe nuk do të shfaqen kudo njëkohësisht. Dhe natyra apo shkalla e ndikimit mund të variojë në mënyrë të gjerë. Në këtë kuptim, disa vende, veçanërisht ato me rezerva valutore ekstensive dhe pozita të forta fiskale, do ta kenë më të lehtë përballimin e krizës në krahasim me të tjerët. Por, goditjet më të rënda kapin, normalisht, vendet në zhvillim, sidomos ato të varfra. Bile, në fazat e para, ndikimet negative realizohen nëpërmjet dy kanaleve kryesore.
Së pari, një rritje më e ulët tek vendet e industrializuara do të thotë kërkesa më të pakta për eksporte nga vendet në zhvillim. Prej këtyre të fundit, disa prej tyre mund të vazhdojnë të rriten apo janë duke u rritur ekonomikisht, bazuar në kërkesat e brendshme. Por, ama, shumica e tyre rriten vetëm duke u bazuar tek eksporti, por jo kur ai bllokohet apo reduktohet. Së dyti, reduktimi i futjes së kapitaleve tek vendet në zhvillim do të thellohet më tej. Aq më tepër që kriza amerikane ka provokuar një “crunch” global krediti dhe investuesit janë bërë shumë më të kujdesshëm ndaj rreziqeve. Dhe kjo gjë pritet të pasqyrohet apo po pasqyrohet në rënien e investimeve tek vendet në zhvillim.
Rreziku është më i madh në ato vende ku janë problematike balancat e llogarive rrjedhëse apo trajtimet fiskale. Të tilla, në Evropë, janë p.sh., disa vende të Evropës Lindore apo Turqia. Kurse Rusia është aktualisht në një situatë të turbullt. Sidoqoftë, gjithçka është në evoluim, pra është akoma herët të flitet për fitues e humbës. Sepse edhe për vendet me rezerva adekuate dhe situatë të mirë makroekonomike, “crunch”-i global i kreditit do të imponojë kostot e veta.
Kërkesat më të ulëta për eksporte dhe mosfinancimi i investimeve të rrezikshmërisë së lartë, i detyrojnë qeveritë dhe bizneset e vendeve në zhvillim që t’u drejtohen kapitaleve me interesa më të larta, brenda apo jashtë vendit. Interesa të tilla dhe gatishmëria më e ulët në dhënie kredie e bën më të vështirë marrjen e borxhit nga biznesi i mesëm dhe i vogël apo nga individët e varfër. Nga ana tjetër, këto vende duhet të shkurtojnë shpenzimet buxhetore në sajë të reduktimit të burimeve të ardhurave dhe të financave. Por, me shkurtimin e tyre, ato që goditen janë në radhë të parë programet sociale dhe projekte të infrastrukturës, që prekin shtresimet më të varfra. Si rezultat, do të rritet më tej niveli i varfërisë dhe pabarazisë.
Po kjo lidhet me fazën e parë. Si do të zhvillohet faza e dytë, varet nga thellësia e krizës dhe kostoja publike e zgjidhjes së saj. Në radhë të parë në SHBA, ku ende nuk është e qartë sasia e parasë publike të rrezikuar. Deficiti fiskal po bëhet shumë i lartë, por askush nuk e përcakton dot atë. Kjo pasiguri bëhet akoma më problematike po të minohet më tej besimi ndaj dollarit, qoftë dhe nëpërmjet mbrojtjes së tij me anë të rritjes së normave të interesit.
Vendet në zhvillim i njohin tashmë ngërçet e provokuara nga normat e larta të interesit në SHBA. Disa kriza të mëparshme kanë dëshmuar që këto norma interesi kanë shkaktuar përmbysje të rrjedhjeve të kapitalit në këto vende, deri duke ekspozuar brishtësitë makroekonomike të tyre. Aktualisht, nuk mund të parashikohet që kjo do të ndodhë, por nëse po këto vende në zhvillim, të dobësuara në fazën e parë (nga reduktimi i kërkesave për eksport dhe rrjedhjet e kapitalit) do të goditen akoma më tej në sajë të këtyre normave interesi, qoftë dhe duke përshtatur pozicionin e tyre fiskal (rritje taksash, kufizime shpenzimesh buxhetore tej atyre të domosdoshme në fazën e parë).
Kjo nënkupton dhe shfaqje të efekteve më të mëdha shpërndarëse. Kështu, të pasurit mund t’i shmangin pasojat e krizës, qoftë duke i bërë të larmishme “portofoliot” e tyre, qoftë duke zhvendosur fonde dhe jashtë vendit. Por jo për shtresat në nevojë!...
Sidoqoftë, për fat të mirë, edhe pse shumë vende në zhvillim kanë rezerva të mjaftueshme apo instrumente më të mirë të politikave fiskale e monetare (për t’ju përgjigjur goditjeve të jashtme, pra dhe normave të larta të interesit), ndikimi i krizës në këto vende do të varet pak a shumë nga amplituda e zgjidhjeve të saj në SHBA...