E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurimi i Bizantit

Averil Cameron, autorja e veprës historike “Bizantinët”, sot në Tiranë, në Bibliotekën Kombëtare

Ka pak kohë që në shqip është botuar vepra “Bizantinët” e Averil Cameron. Sot autorja, profesoreshë e antikitetit të vonë dhe e historisë së Bizantit në Oksford, njëherësh drejtore e kolegjit Keble, ndodhet në Tiranë. Sot në orën 10.00 në Këndin Amerikan të Bibliotekës Kombëtare, me inciativën e botuesit “Dituria” në bashkëpunim me Institutin e Historisë dhe Bibliotekën Kombëtare, Cameron mban një lekturë për “Bizantinët” dhe për kampet e afërta të kësaj teme, objekt studimi i saj në më shumë se 15 vjet. Përmendim botimet “Ndryshimi i kulturave në Bizantin e hershëm” (1996), “Eusebius. Jeta e Konstandinit” (1999).

Për Timothy Gregory, Universiteti Ohio State, libri i Averil Cameron-it “Bizantinët” shënon një sukses në portretizimin dhe karakterizimin e qytetërimit bizantin. Libri fokusohet drejtpërsëdrejti te popujt e Perandorisë Bizantine, pikëpamjet e kulturën e tyre, dhe në mënyrën se si këta ndryshuan me kalimin e kohës. Rezultati është një vështrim i spikatur e i qartë për atë çka ishin bizantinët. Jep një ndihmesë kuptimplotë për restaurimin e Bizantit, për vendin e tij mëse të drejtë në qendër të traditës historike të Europës.

Gregory arrin në këtë përfundim, pra që “Bizantinët” bënë një restaurim të Bizantit, duke mbajtur parasysh që ky territor i historisë mbetet i paqartë në hartën e historisë evropiane “megjithëse shpesh është interpretuar gabimisht si një pasardhës i zhdukur i botës klasike”. Bizanti bën pjesë në rrymën qendrore të historisë së Europës dhe të Mesdheut. Ndikimi i tij ndjehet ende kudo, në Ballkan, në Europën Lindore dhe në Lindjen e Mesme. Dhe më tej Gregory thotë: “Bota bizantine gjendej edhe aty ku takohej Islami i hershëm dhe Krishtërimi, dhe bizantët patën të bënin dhe jetuan pranë myslimanëve, nga arabët në shekullin e 7 deri te turqit në shekullin e 15-të. Bota pluraliste e Bizantit të vonë ishte shumë ndryshe nga ajo e Perandorisë Romake Lindore në shek. IV pas. K., kur u themelua Kostandinopoja. Po ashtu bota rreth saj ndryshoi në mënyrë dramatike gjatë kësaj kohe, identitetin bizantin ishte ende i fortë dhe i dallueshëm njëkohësisht. Tensioni mes ndryshimit dhe vazhdimësisë në shoqërinë bizantine është një nga temat themelore të shqyrtuara në këtë libër.”

Ky libër e njeh lexuesin me historinë komplekse, karakterin etnik dhe identitetin e Perandorisë Bizantine, dhe kjo paraqitet e mundur ngaqë Cameron vlerësohet si një studiuese autentike dhe e nivelit të lartë për çështjet e bizantologjisë.

Historianët shqiptarë do të kenë sot rastin të ndjekin një leksion prej kolegu, ndërsa për lexuesit që e dënuan historinë, nga Cameron mund të dëgjojnë edhe trojet shqiptare gjatë Bizantit.

Averil Cameron ka marrë më 2006 titullin Dame Commander of the Order of the British Empire. Ajo është edhe bashkëredaktore e vëllimeve XII, XIII dhe XIV të Cambridge Ancient History.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›