E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franc Ashiku, estetikë në propagandë

Franc Ashiku nuk jeton më. Megjithatë është ndër të rrallët artistë që vazhdon të tërheqë vëmendjen e “nxënësve”, të “rrethit estetik” të Shkodrës. Ja se si pllakatet e tij të realizuar si detyrë e përditshme në ndërmarrjen e dekorit në Shkodër, ruajnë ende vlerën e veprës së artit. Një ish- nxënës, Agron Mesi, tregon për krijimin në “fshehtësi” të Ashikut. Në galerinë Zeta deri më 20 janar 

“E di cili ka qenë sekreti i Franc Ashikut? U fsheh pas formateve të vogla dhe temave në dukje të parëndësishme.” Këtë të fshehtë të artistit që gjithë jetës u mor me një medium sidomos të propagandës si pllakati, e thotë një ish- nxënës, Agron Mesi, koleg i tij më pas në sektorin e dekorit në Shkodër. Franc Ashiku nuk jeton më. Megjithatë është ndër të rrallët artistë që vazhdon të tërheqë vëmendjen e “nxënësve”, të “rrethit estetik” të Shkodrës, për një fakt që ka qenë thelbësor për një krijues nën regjimin komunist: ruajtja e balancave, se si propaganda të mos e mbyste artin. Mbase këtë kishin parasysh Zef Paci dhe Edi Hila kur morën përsipër me entusiazëm kujdesin për prezantimin e Ashikut (1924-1998) në një ekspozitë personale (pas vdekjes) që përmban 25 punë, pllakate dhe fare pak pikturë, të krijuara në harkun kohor 1958-1990. Aty gjen thirrje për kursimin e energjisë, thirrje për ujitjen “si detyrë e ditës në bujqësi”, pastaj pllakate për gazetën e partisë “Zërin e Popullit”, përvjetorët e kongreseve të Partisë, përvjetorët e çlirimit, përvjetorët e folklorikut të Gjirokastrës, pllakate për “muejin e të rejave”, për javën e librit shqip, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Jo më pak vlerë ka pasur kontributi i tij në dizenjimin e pëlhurave apo kopertinave të librave. E pranishme pothuajse në të gjitha punët është ngjyra e kuqe të cilën e quante “e kuqe kardinale”.

Ashikut i ka ndenjur ngushtë kostumi i krijimit brenda temave të përcaktuara nga “lart” megjithatë ka qenë një pikë ku askush nuk mund të ndërhynte: forma. Një element që vihet re edhe në lojën e shkronjave në pllakatin e një ekspozite artikujsh.

Agroni, pedagog në Liceun Artistik, tregon në këtë intervistë për krijimin në “fshehtësi” të Ashikut, për ndikimin e pikturës dhe estetikës së tij të krijimit.

Si jeni takuar me Franc Ashikun?

Merrja pjesë në kurset e artit (pionerëve) që kanë qenë në vitet ‘70-‘80 në Shkodër, kur kam njohur për herë të parë piktorin Franc Ashiku. Nuk ishte drejtpërdrejt mësuesi im, por ishte i lidhur shumë me mësuesit e mi Ismail Lulani, Zamir Krasniqi dhe Angjelin Dodmarkaj. Gjithmonë kontaktet me mësuesit ishin takime edhe me Ashikun. Këta katër artistë kishin krijuar një komunitet ku përveç krijimtarisë cilësore që bënin mundoheshin edhe të emanciponin.

Që në atë kohë mbaj mend që ai ishte njohës shumë i mirë i artit. Të gjithë piktorët e asaj periudhe nuk kishin si t’i shpëtonin përmbajtjes, por me shumë zgjuarsi mundoheshin të mos bënin shumë kompromis për formën. Bënin një pikturë e cila formalisht ishte shumë e emancipuar, moderne dhe po t’i heqësh temën, ato piktura mund të jenë bashkëkohore, që rrinë shumë mirë në atmosferën e viteve që janë krijuar, vitet ‘80. Një kompromis të tillë koshient dhe jokoshient bëri Franc Ashiku në pikturën e tij dhe në angazhimin e tij si dekorator, ilustrator, piktor dizajner etj.

Kemi shkëmbyer edhe libra për historinë e artit dhe ajo që më ka bërë përshtypje ishte se librat e Francit ishin shumë të vjetër, botime të hershme. Ai gjithmonë ka qenë në kontakt me atë çfarë ndodhte në artin botëror.

E komentonte punën tuaj?

Unë e mbaj mend si njeri tepër të tërhequr. Një fjalë ose një fjali e vetme që ai thoshte e pasqyronte gjithë atë bagazh të madh që kishte. Ajo frazë mbante me vete një kulturë të tërë. Nuk ishte shumë, por ajo që thoshte tregonte për një mendje që mendohej kur flet dhe brenda ruan shumë gjera.

Në këto pak fjalë çfarë fryme tregonte ai, kritike, optimiste, apo çfarë?

Karakteristikë e tij ka qenë fakti që nuk ishte kritizer. Në lidhje me aq sa e njoh unë ka qenë dashamirës dhe është prononcuar vetëm atëherë kur ka pasur dëshirëtë prononcohet për diçka që i ka pëlqyer ose që e ka emocionuar.

Ka ndikuar piktura e Ashikut në krijimtarinë tuaj?

Në atë kohë më kanë bërë përshtypje natyrat e qeta të Francit. Bënte disa me lule dimri. Mbaj mend që kur isha fëmijë më nguliteshin në kokë këto detaje dhe përpiqesha jo të imitoja por të ndërtoja edhe unë një subjekt të tillë. Përdorte disa qypa krejt të thjeshtë balte që shiteshin lirë në treg, i dekoronte, i lyente vetë. Ato shndërroheshin nga një objekt i rëndomtë artizanal i prodhuar kështu në tregun e lirë nga zanatçinjtë.

Mënyra sesi ai pikturonte më ka mbetur në mendje sepse nuk ishte një pikturë rrëfimtare por ishte një pikturë e çliruar. Në atë moshë unë nuk kisha aftësinë për të qenë i përsosur në përpunimin e gjërave dhe tek Franci gjeja atë që doja të bëja vetë, por të bërë në një mënyrë më të mirë. Me një stil të çliruar, me një “naivitet”, sinqeritet, në kuptimin artistik të fjalës. Me një pikturë me motiv dhe pa motiv. Ai gjente motivin edhe në gjëra që ishin të thjeshta, jo me një kompozim deklamativ, të formuar si skemë. Kjo për sa i përket kohës kur po formohesha si artist. Tani nuk mund të them se kam ndikime direkte nga Franci.

Çfarë është ekspozuar dhe çfarë ka ngelur jashtë në atë kohë nga krijimtaria e Franc Ashikut?

Në ekspozitat që realizoheshin në atë kohë në Shkodër, 2-3 në vit, ai merrte pjesë me punë minore, ku “fshihej” pas formatit të vogël dhe temave të parëndësishme në dukje, që të bënte eksperimentet e tij formale. Punët e tij nuk lavdëroheshin asnjëherë nga organet kompetente, por as nuk kritikoheshin, pasi nuk binin në sy për sa i përket temës, kompozicionit dhe formatit. Një zgjuarsi, them sot, duke e konstatuar me ftohtësi. Ai kishte një intuitë dhe një logjikë mjaft të ndjerë.

Ju keni punuar për një kohë në dekorin e Shkodrës, të cilin në atë periudhë e drejtonte Franc Ashiku. Këto sektore përmenden si streha shpëtimi për piktorët profesionistë në atë kohë. Si ka qenë puna atje?

Në vitin 1982 më çuan të punoja në repartin e dekorit në Shkodër. Franci më ofron mundësinë për ta ndihmuar në disa bocete me të cilat po punonte. Ishin dy punë grafikat e të cilave i kishte marrë nga autorë të tjerë dhe që i ishte bërë një bashkim poshtë yllit.

Mbaj mend që kishte një lloj të kuqe që mund ta quaj “e kuqja e Francit”. Është një e kuqe e veçantë, jo e ndezur. Ai ndonjëherë kishte qejf ta quante e “kuqja kardinal”, pasi ngjason me të kuqen e kapuçëve të kardinalëve. Më pas më beson ekzekutimin e (mbase ky ka qenë momenti im me emocionues me Francin) skenës së festivalit të fëmijëve në Shkodër dhe pllakatin e lajmërimit të festivalit që do të vihej në qytet.

Cili është momenti më i veçantë që kujtoni?

Kur kam shkuar për herë të parë në shtëpinë e tij. Oborri ishte i jashtëzakonshëm. Ishte i mbushur plot me lule dhe kishte një pus. Mënyra se si ishte lyer dukej që ishte vepër e Francit. Ishte i lyer me një ngjyrë rozë, shtyllat e hardhive gjithashtu ishin të lyer me rozë dhe te verdhë. Dukej që ai njeri edhe në rrugën e shtëpisë ka dashur të kishte impakte estetike.

Ndërsa studion e tij të punës e kishte në katin e parë. Në mendje më ka mbetur silueta e një pianoje të vjetër. Studioja ishte shumë e rregulluar. Një tavolinë punë shumë intime, vazo të dekoruara nga ai, mbaj mend një grafikë me germa të ngjitura. Ishte një ambient shumë estetik dhe shumë krijues për punën që bënte ai.

Ju keni organizuar një ekspozitë për të pak kohë para se të vdiste. Të parën personale për Franc Ashikun.

Ai kishte marrë pjesë më parë në ekspozita me punë të vogla, por që asnjëherë nuk ishin mirëpritur nga komisionet e asaj kohe. Asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë entusiazëm i madh nga ana e autoriteteve për të inkurajuar Francin të hapë një ekspozitë personale.

Ai ishte një piktor që punonte në “fshehtësi”, kishte një intuitë dhe logjikë që e fuste në strofullën e tij në të cilën punonte pa menduar se një ditë do t’i ekspozonte punët. Punët nuk ishin ekspozuar sepse nuk ishin bërë për tu ekspozuar. Ishin punë të karakterit të dobët, të realizuara me materiale krejt të rëndomta, përziente teknikat, nuk ishte klasik.

----------------------------------------Gravura për Luigj Gurakuqin

Është bërë në vitin 1982. Agroni tregon se kjo gravurë është realizuar në kohën kur ai sapo kishte filluar punë në dekorin e qytetit të Shkodrës. Kur punonte për këtë grafikë, linogravurë të Luigj Gurakuqit, punonte me kaq kujdes për çdo element saqë detajetnë cep të gravurës i ka marrë nga shtëpia e tij karakteristike në Shkodër. Këto ornamente i ka gjetur të gdhendura në dru në shtëpi dhe i vizatoi. Nën mjekrën e Gurakuqit shkruhen vargjet e Nolit: Syrgjyn gjallë e/ syrgjyn vdekur/ ky vigan liberator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›