E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr shtëpisë së vëllait, kapet Çullhaj

 

TIRANË- Një person me precedentë penalë u arrestua dje nga policia e kryeqytetit, me akuzën se i ka vënë flakën dhe ka djegur banesën e vëllait të tij. “Sipas hetimeve të policisë, mbi djegien e banesës së E. Çullhaj, në rrugën ‘Ali Baushi’, afër shkollës ‘Xhezmi Delli’, të premten në mbrëmje, rezulton se autor i zjarrvënies është pikërisht vëllai i të dëmtuarit”, thanë burimet e policisë. Sipas tyre, nga hetimet hetimore të kryera nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë/armë dhe shkatërrimit të pronës, ka rezultuar se zjarri ishte i qëllimshëm dhe ishte vendosur nga i arrestuari. “Autori i akuzuar për këtë zjarrvënie është shtetasi Fatos Çullhai, vëllai i të dëmtuarit, person me  precedentë të mëparshëm penalë në Tiranë”, thanë burimet e Drejtorisë së Policisë. Sipas tyre, për të arrestuarin është marrë masa e kapjes në flagrancë, ndërsa materialet e dosjes penale i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë. Mbi autorin e zjarrvënies rëndon akuza e shkatërrimit të pronës me zjarr. Policia tha se ngjarja ka pasur për shkak një mosmarrëveshje pronësie mes dy vëllezërve. Ata prej vitesh nuk kishin arritur të zgjidhnin konfliktin, ndërsa zjarri i dy ditëve më parë nuk pati viktima në njerëz, veç dëmeve materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›