Vrau grabitësin, ekspertiza rrëzon alibinë e biznesmenit
TIRANE – Është konsideruar si vrasje në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme, megjithatë përleshja me armë e Feim Llanajt me disa persona që tentuan të grabisin dyqanin e tij, duket se do të ketë një klasifikim tjetër ligjor. Ngjarja ndodhi më 10 janar 2009, brenda rrethimit të banesës dhe bizneseve të Feim Llanajt në Unazën e Re në Tiranë. Biznesmeni i deklaroi policisë se kufoma e gjetur në oborrin e shtëpisë së tij ishte grabitësi që ai kishte vrarë, pasi kishte arritur në përleshje t’i rrëmbente armën nga duart. Në fakt në vendin e ngjarjes kanë qenë dy grabitës, njëri që është larguar dhe tjetri që është përballur me pronarin e dyqaneve Feim Llanaj, që kishte pikasur sulmin mbi pronën e tij. Biznesmeni pretendoi se arma e krimit ka qenë e grabitësit të vrarë Pjetër Pjetri, 31 vjeç nga Puka. Mirëpo akti i ekspertimit të gjurmëve të gishtave në armë i administruar ditën e premte në dosje, tregon të kundërtën. Arma e krimit, një pistoletë tip TT, nuk ka asnjë gjurmë gishti apo shenjë që tregon se është mbajtur nga persona të tjerë veç të dyshuarit për ngjarjen Feim Llanaj. Burime zyrtare të policisë, pohuan dje se akti i ekspertimit të armës hedh poshtë alibinë se biznesmeni e mori armën nga duart e grabitësit në përleshje për vetëmbrojtje me të. Fakte të tilla të administruara në dosje pritet të ndryshojnë rrjedhën e trajtimit ligjor të ngjarjes. e.d