Policia, incident te shtëpia e filmit “Marubi”
TIRANE – Policia e kryeqytetit dhe drejtuesit e Akademisë së Filmit & Multimedias “Marubi”, u përfshinë dje në një konflikt të ashpër mes tyre. Policia pretendon se ka marrë urdhër ligjor për të liruar disa nga ambientet e zëna nga Akademia “Marubi”, ndërsa në vendin e ngjarjes ka qenë edhe zv.drejtori i Policisë së kryeqytetit, Gjergji Jorgo dhe shefi i Komisariatit nr.4 të policisë, Ismet Shkreta. Rektori i Akademisë, Kujtim Çashku, u shpreh dje se e konsideron “akt terrorist kërkesën për lirimin e godinës”. “Në bazë të një vendimi, qeveria aktuale urdhëron të lirojmë ambientet e Akademisë brenda orës 13:00 të ditës së sotme, dhe ne këtë akt e konsiderojmë terrorist”, theksoi ai. Kujtim Çashku nënvizoi se, “Akademia është akredituar nga shteti shqiptar”. Ministria e Ekonomisë sqaroi dje se “shkollës që njihet me emrin Akademia e Filmit & Multimedias ‘Marubi’, i është dhënë 200 metër katrorë sipërfaqe, pa shpërblim, për të zhvilluar aktivitetin e saj tregtar. Pa kontratë apo marrëveshje, ky subjekt në mënyrë të paligjshme ka zaptuar edhe rreth 4500 metër të tjera sipërfaqe, ku futet godina dhe ambientet rrethuese. Gjatë këtyre viteve, Akademisë së Filmit & Multimedias ‘Marubi’ i është kërkuar sistematikisht të ndjekë procedurat e rregullta ligjore për lidhjen e kontratës së qiramarrjes me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, por ka refuzuar”, tha ministria.