E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, rebelohen ushtarakët

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema, i pandehur në dosjen “Gërdeci”, rikthehet nga SHBA për t’u përballur me akuzat e rënda të ngritura nga Prokuroria. Ai u paraqit dje në organin qendror të akuzës në Tiranë, ku prokurori Arqile Koça i komunikoi provat mbi të cilat ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë për tragjedinë. Maratona e zyrtarëve në Prokurori ka vijuar me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili siç duket për të mos mediatizuar paraqitjen e tij në Prokurori, ka shkuar aty në orët e mbrëmjes, kur errësira kishte rënë në kryeqytet. Ish-kreut të Shtabit të Përgjithshëm i është komunikuar akuza “shpërdorim detyre” në bashkëpunim parashikuar nga Kodi Penal Ushtarak. Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Adriatik Mema, ashtu edhe Shefi i Shtabit, akuzohen se bashkë me të pandehurit e tjerë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, me dashje, kanë shkaktuar tragjedinë e Gërdecit, duke u bërë shkak për hapjen e procesit të demontimit aty dhe zhvillimin e kësaj veprimtarie në shkelje të kushteve të sigurisë teknike. Në Prokurorinë e Përgjithshme u paraqitën gjatë ditës së djeshme edhe tre ish-anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Municioneve, për fishekët, Rezar Tershana, Besnik Dauti dhe Agim Babameto. Ata akuzohen se kanë përzgjedhur në mënyrë abuzive edhe fishekë efektivë nga depot e ushtrisë, përveç municioneve të dala jashtë përdorimit.
Rebelohen të pandehurit
Numri i madh i personave të akuzuar në dosjen “gërdeci” nuk ka qenë pengesë që disa prej tyre të reagojnë ashpër ndaj veprave penale dhe pretendimeve që u komunikoi Prokuroria e Përgjithshme. I pari që debatoi ashpër me prokurorët ishte ish-ministri Fatmir Mediu, ndërsa më pas edhe gjeneralët e ushtrisë kanë mbajtur qëndrime deri në rebelim. Ish-zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala, ka reaguar ashpër tri ditë më parë, ndërsa prokurorët po i komunikonin akuzën. “Kemi një jetë në ushtri, na trajtoni sikur të ishim kriminelë, nuk kemi shkelur asnjë ligj të këtij vendi”, mësohet të jetë shprehur Lala dhe ushtarakë të tjerë të Shtabit gjatë qëndrimit në prokurori dhe ballafaqimit me hetuesit dhe prokurorët e dosjes “Gërdeci”. Nga burimet e akuzës qendrore mësohet se intonacioni i komunikimit ka qenë në përmasat e një rebelimi, ndërsa është dashur ndërhyrja e anëtarëve të grupit hetimor, madje shkëputja nga veprimet e zakonshme procedurale për të qetësuar situatën. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme filloi hartimin e kërkesës për gjykimin e dosjes penale për tragjedinë e Gërdecit dhe thirri të pandehurit për t’u njohur me provat e mbledhura kundër tyre. Dy ditë më parë të arrestuarit Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli refuzuan të firmosin aktet e Prokurorisë, ndërsa nënshkrimi formal i tyre është bërë vetëm nga avokatët.

Të pandehurit në Prokurori

U njohën dje me provat e akuzës:
 
Adriatik Mema
Ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes

Luan Hoxha
Ish-shef i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura
 
Rezar Tershana
Besnik Dauti
Agim Babameto
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit

Dyshime për trafik pas mashtrimit, fishekë fringo Mihal Delijorgjit
TIRANE – Ish-drejtuesit e uzinës së Gramshit dhe kombinatit të Poliçanit janë marrë të pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve lidhur me çështjen “Gërdeci”. Ndërkaq akuza të ngjashme janë formuluar edhe për ish-zyrtarët që kanë marrë pjesë në komisionet e përzgjedhjes së municioneve luftarake, konkretisht për fishekët dhe predhat. Ashtu si drejtuesit e uzinës dhe kombinatit të armëve, edhe anëtarët e komisioneve të vlerësimit akuzohen nga Prokuroria se kanë nxjerrë nga depot shtetërore fishekë dhe municione të reja në gatishmëri për përdorime luftarake, duke falsifikuar dokumentet e tyre. Municione të tilla për një hark kohor më shumë se tetë muaj kanë shkuar në adresë të bizneseve që kishte ngritur Mihal Delijorgji dhe, Prokuroria është duke hetuar nëse fishekë dhe municione të tilla të reja janë përdorur për trafikim, pasi demontimi i tyre nuk është i provuar ende. Pikërisht furnizimi i kompanisë “Albademil” me fishekë të rinj dyshohet se është bërë me kërkesë të Delijorgjit, për të cilin po hetohet nëse kishte gjetur treg për municione të tilla në gjendje përdorimi për luftim, që janë faturuar si të vjetruara me anë të falsifikimit të dokumenteve. Një veprim i tillë llogaritet t’i ketë shkaktuar shtetit dëm ekonomik të konsiderueshëm.                            t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›